Tregimi mbi mbretin dhe vezirin

Tregohet se një mbret, kishte urdhëruar që shërbëtorët të merreshin me trajtimin e dhjetë qenve të egër. Ata duheshin edukuar në atë mënyrë, që nëse u hidhej brenda kafazit një person, ta shqyenin. Në kafazin e qenve, do të hidhej çdo vezir që i jep mbretit mendime të gabuara.

Një ditë, veziri i mbretit i dha një mendim të gabuar mbretit, mendim i cili e xhindosi fare mbretin. Menjëherë, ai dha urdhër që veziri të hidhej në kafazin e qenve që ta shqyejnë.
I gjendur ngushtë, veziri i tha:”Lartmadhëria juaj. Ka dhjetë vite që të shërbej me besnikëri. A për një gabim të vetëm po ma bëni këtë?! Megjithatë, nëse ju keni vendosur, më bëni një nder të vogël; Më jepni dhjetë ditë afat, para se ta ekzekutoni vendimin tuaj!” Mbreti u zu ngushtë nga këto fjalë dhe i tha:”Dakord, ke dhjetë ditë afat.”
Menjëherë, veziri vajti tek rojet që përkujdeseshin për qentë dhe u tha:”Do të më lejoni që për dhjetë ditë tu shërbej unë këtyre qenve të sertë!” Rojet, duke parë njëri-tjetrin në sy, e pyetën:”E çfarë do të përfitosh nga kjo?” Veziri u tha:”Do e shihni vetë me sytë tuaj.”

Rojat e lanë vetëm vezirin dhe u larguan. Menjëherë, ai filloi të kujdesej për qentë, i ushqente, i lante dhe i pastronte, filloi nga pak të luajë me ta etj.. Pas dhjetë ditësh, erdhi momenti i zbatimit të vendimit të mbretit, ku veziri do të ekzekutohej në mënyrë makabër, dhjetë qen do e shqyenin brenda atij kafazi të frikshëm. Rojat e morën vezirin dhe e dërguan tek kafazi i qenve. Këtë skenë e ndiqte vetë mbreti dhe familja e tij. Me ta shtyrë vezirin brenda kafazit, dhjetë qentë iu turrën sipër… Por jo duke e kafshuar dhe shqyer, por duke luajtur, lehur dhe duke i lëpirë këmbët.
Mbreti brofi në këmbë dhe e pyeti:”Çfarë u ke bërë qenve more?!” Veziri iu përgjigj:”Lartmadhëria juaj! Ka dhjetë ditë që u shërbej këtyre kafshëve dhe ato, edhe pse qen, nuk e harruan të mirën time. Sakaq, ju i harruar dhjetë vjet shërbim dhe besnikëri.” Mbreti uli kokën dhe urdhëroi që vezirit të tij ti falej jeta.

Morali i tregimit:
Mos i harroni ditët e bukura, thjesht nga një qëndrim dhe gabim kalimtar. Mos e fshini të shkuarën e bukur, kundrejt një sjelljeje që nuk u ka pëlqyer.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu