Disa pasanikë nga Siria vendosën të shkojnë dhe të kryejnë ritualin e shenjtë të haxhit. Me qëllim që tu shërbejë e tu përgatisë ushqimin, morën me vete një person të njohur për cilësinë e shërbimit, gatimet e shijshme dhe shpirtin e humorit. Ai nuk e kishte kryer detyrimin e haxhit dhe menjëherë pranoi. Shpërblimi i tij do të ishte heqja e të gjitha shpenzimeve të rrugës dhe të haxhit, kundrejt shërbimit. Ai e pranoi me kënaqësi këtë ofertë, aq më tepër që kishte kohë që ëndërronte të kryente haxhin, pavarësisht gjendjes së rëndë ekonomike.
Me të mbërritur në Mekë, grupi i pasanikëve mori me qera një dhomë të pajisur me kuzhinë për të gatuar. Shërbëtori menjëherë ia nisi punës gjithë gëzim që kishte ardhur në haxh dhe po përmbushte ëndrrën e tij të kahmotshme.
Një ditë, teksa po bluante grurin me dybek, pa që toka nën pjesën e dybekut lëkundej, sikur të kishte diçka të fshehur poshtë saj. La dybekun e hekurit mënjanë dhe filloi të gërmojë dheun, ku i dihej, ndoshta ishte me fat e gjente diçka me vlerë. Gëzimi i tij ishte i papërshkrueshëm kur i hasën duart në një qese me flori, brenda një sënduku të vogël. Pa djathtas e majtas se mos e kishte vënë re ndokush, por nuk pa kënd. Atëherë vendosi ta kthejë përsëri nën tokë, derisa të vijë dita e udhëtimit të kthimit. Që nga ajo orë, një vërshim mendimesh e idesh i vinin papushim në mendje, çfarë do të blinte me gjithë ato florinj, si do të ndahej përfundimisht me jetën e varfërisë, si do të bënte jetë luksi etj… Pasi përfunduan ditët e haxhit, erdhi dhe dita e udhëtimit të kthimit. Ai e fshehu mirë e mirë qesen me florinj në ngarkesën e devesë personale. Të gjithë tregonin lodhje gjatë rrugës, përveç personazhit tonë i cili dukej sikur flulturonte nga gëzimi. Ishte një udhëtim i mbushur me gëzim për floririn dhe frikë se mos i ndodh ndonjë gjë e papritur dhe e humbet.
Kur mbërritën në një luginë, meqë ishte muzg, vendosën të fushojnë dhe të flenë aty atë natë. Vetë personazhi ynë ia nisi menjëerë punës së përgatitjes së ushqimit dhe shërbimit për të cilin ishte marrë nga Siria.
Ndërkohë, papritur, njëra nga devetë merr arratinë. Ishte pikërisht deveja e shërbëtorit dhe kuzhinierit tonë. Pa pritur e pakujtuar ajo ia kishte dhënë vrapit si e çmendur, me gjithë ngarkesën në shpinë. Shërbëtori nuk e përmbajti dot veten dhe ia dha të qarës si fëmijë. Lotët nuk i ndaleshin. Pasanikët, duke parë dhimbjen e tij, i premtuan se do ti blejnë një deve të re, me gjithë plaçka e rroba. Ai, duke mos dashur tu tregojë për floririn, u tha se mbi deve kishte dhurata dhe relike që i kishte blerë në Mekë e në Medine për familjarët, prandaj ishte mërzitur aq shumë.
Të nesërmen karvani u nis për udhëtim derisa mbërritën tek familjet e tyre. Shërbëtori mbërriti në shtëpi i gjithi vrer për shkak të humbjes së floririt.
Një vit më vonë, pasanikë të tjerë u organizuan për të kryer haxhin dhe u interesuan për dikë që do tu shërbente dhe tu gatuante. Sigurisht, grupi i parë u sugjeroi personazhin tonë si kuzhinier dhe shërbëtor të mirë, duke thënë fjalët më të mira për të. Ata e kërkuan dhe ai pranoi ti shoqërojë. U nisën për rrugë. Gjatë udhëtimit ndaluan pikërisht në luginën ku i kishte humbur deveja, aty pranë vendfushimit të vitit të shkuar.
Shërbëtori, meqë kishte akoma pak diell, u shmang pak për nevoja personale dhe u largua paksa nga kampi. Rrugës pa një pus të braktisur dhe të tharë. U afrua dhe zgjati kokën për të parë brenda pusit, ku dalloi një deve të ngordhur. Menjëherë u zvarrit poshtë, gjithë shpresë që të ishte deveja e tij që mbartte floririn e tij. Deveja kishte ngordhur dhe i kishin mbetur vetëm kockat dhe qimet, ndërkohë që ngarkesa, e në veçanti floriri, ishin të paprekur. Mori floririn dhe e fshehu mirë në trup. Iu kthye gëzimi e hareja e një viti më parë.
Pasi mbërritën në Mekë, morën me qera të njëjtën dhomë që kishin pasur tregtarët e një viti më parë. Pasi ishin rehatuar në dhomë, personazhi ynë vajti tek kuzhina për të gatuar. Aty, mendoi ta kthejë floririn në vendin ku e kishte gjetur, për marrë përsëri pasi të kryenin haxhin dhe të niseshin për rrugën e kthimit. Në një nga ditët e haxhit, në dhomën e marrë me qera nga pasanikët, ia behu pronari i shtëpisë. Pasi kërkoi leje, ai hyri brenda dhe shkoi në kuzhinë, ku gjendej kuzhinieri duke gatuar. Ai vajti tek vendi ku ishin fshehur florinjtë, gërmoi dhe i nxorri që andej.
Shërbëtori zgurdulloi sytë, iu afrua dhe e pyeti:”Çfarë more që andej?!”
Pronari i shtëpisë iu përgjigj:”Floririn tim mora. Kisha vite që e kisha fshehur atyr dhe sot më duhej, prandaj erdha dhe e mora.”
Kuzhinieri nuk e mbajti dot veten dhe i tha: ”Po a e di që kjo qese floriri ka qenë deri në rrethinat e Sirisë dhe është kthyer sërish në këtë vend, pa i munguar as dhe një monedhë?”
I zoti i shtëpisë u përgjigj: ”Pasha Zotin sikur të bridhte mbarë botën, jam i bindur që do të kthehej sërish aty ku e pata fshehur unë, sepse së pari e kam fituar me hallall, së dyti “e pastroj” duke ndihmuar fukarenjtë dhe hallexhinjtë dhe së treti ia kam lënë amanet vetë Zotit që ta ruajë. /InfoShqip.com
Nga: Elmaz Fida