“Tani kanë nisë kërkesat zyrtare të trupit diplomatik të Serbisë për ta realizuar në praktikë kontrollin e KFOR në veri të vendit. Po a mund të ndodhi kjo? Jo! Është e pamundur”.
Gjatë së martës u raportua se Serbia ka kërkuar që KFOR-i të marrë nën kontroll veriun dhe të fillojë një hetim ndërkombëtar.
Atashetë ushtarakë të Serbisë kanë shpërndarë dokumentin me kërkesë nëpër ambasadat e tyre në botë.
Në dokumentin e siguruar nga mediat, kërkesat kryesore të Serbisë për komunitetin ndërkombëtar, pas siç thuhet në dokument “zhvillimeve të fundit në Kosovë”, janë që KFOR-i të marrë nën kontroll të plotë veriun e Kosovës, duke zëvendësuar Policinë e Kosovës dhe që të fillojë një hetim ndërkombëtar mbi atë se çfarë ka ndodhur me 24 shtator.
Këtë kërkesë për gazetën “Bota sot” e komentoi njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare Dr. Enver Bytyçi.
Bytyçi theksoi se këtë kërkesë të Serbisë dhe presidentit Aleksandër Vuçiq e mbështeti edhe kryeministri Edi Rama, madje sipas tij ky i fundit ishte edhe më i avancuar në kërkesën e tij për ta larguar shtetin e Kosovës nga veriu.
“Besoj se ishte e ditur që Serbia edhe zyrtarisht do të kërkonte kontrollin e KFOR-it në veri të Kosovës. Këtë e lajmëroi presidenti Vuçiç ditën që ndodhën aktet terroriste në Zveçan, kur tha se “Kam kërkuar që KFOR-I të marrë kontrollin e sigurisë në veriun e Kosovës”! Pastaj këtë kërkesë të presidentit të Serbisë e mbështeti në formë diktati kryeministri I Shqipërisë, I cili tha: “KFOR-I duhet të marrë nën kontroll veriun e Kosovës”! Ndërsa presidenti I Serbisë përcaktoi fushën e sigurisë si atribut të KFOR-it, Edi Rama I dha hapësirë më të madhe, të pakufizuar! Thjesht këtu qëndron dallimi midis të dyve. Shkurt zoti Rama është më I avancuar sesa zoti Vuçiç në opsionin e tij për ta larguar shtetin e Kosovës nga veriu.
Pak ditë më vonë kërkesën e marrjes nën kontroll të veriut të Kosovës nga ana e KFOR-it e përsëriti ambasadori i Serbisë në Uashington, Marko Gjuriq dhe më së fundmi ishte ministri i Jashtëm Daçiç, ai që tha se kontrolli I sigurisë në veri është kompetencë e KFOR-it në bazë të rezolutës 1244! Kështu Serbia vazhdon të spekulojë ende me këtë rezolutë. Është e vërtetë se KFOR-i dhe veprimtaria e tij në Kosovë është e legjitimuar përmes rezolutës 1244. Por ajo rezolutë e bën përgjegjës KFOR-in për sigurinë në të gjithë Kosovën. Nëse rrezikohet p.sh. siguria në kufirin me Shqipërinë për shkak të bashkëpunimit të kryeministrit të saj me Serbinë, atëherë KFOR-I ka detyrë, sipas asaj rezolute, të garantojë sigurinë edhe në kufirin shqiptaro-shqiptar! Thjesht e mora si shembull, sepse shqiptarët nuk lejojnë kurrë të ndodhë kjo, edhe pse Edi Rama është I angazhuar për të rrënuar sigurinë e Kosovës, derisa punon për ndarjen e saj!”, ka thënë Bytyçi,
Por, profesori e konsideron si të pamundur realizimin e kërkesës zyrtare të trupës diplomatike të Serbisë, pasi sipas tij KFOR nuk kryen detyra policore.
Ai shton se nëse ndodhin akte të tjera terroriste nga Serbia, do të jetë Policia e Kosovës ajo që do t’i kryej detyrat e saj, duke shtuar se përveç veriut mund të ketë rrezik eskalimi edhe në jug.
“Tani kanë nisë kërkesat zyrtare të trupit diplomatik të Serbisë për ta realizuar në praktikë kontrollin e KFOR në veri të vendit. Po a mund të ndodhi kjo? Jo! Është e pamundur. KFOR-i nuk kryen detyra policore. KFOR-i nuk mund ta zëvendësojë policinë e Kosovës. Madje nuk mund të kryejë as detyrat e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Nëse ndodh që terroristët serbë sërishmi të ndërmarrin akte terrori, do të jetë sërishmi policia dhe forcat speciale të Kosovës ato që do ta garantojnë rendin dhe sigurinë në veri e në të gjithë territorin e vendit. Meqë ra fjala: – Institucionet e Kosovës, duke u kujdesur vetëm për veriun, duhet të kuptojnë se në kushtet e dështimeve si ai 24 shtatorit, Serbia mund të zgjerojë harton e akteve terroriste edhe në jug të vendit. Mundet që të kryejnë ndonjë masakër kundër serbëve, me qëllim që të akuzojnë shqiptarët, Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin! Mundet të kryejnë atentate, të djegin ndonjë kishë apo manastir. Gjithçka mund të bëjnë në kushtet e diskreditimit të tyre në rastin e aktit terrorist në Zveçan!”, shprehet profesori.
Por, sipas tij Kosovën nuk do të mund ta dëmtojnë kërkesat absurde për të krijuar një „protektorat ndërkombëtar“ në veriun e Kosovës.
“Zoti Rama tha se „KFOR-i është një trupë miqësore me Kosovën, prandaj nuk është herezi që ta marrë ai kontrollin. Kësisoj e justifikojnë atë edhe disa politikanë dhe analistë në Kosovë, kur thonë se „Në thelb qëndrimet e Ramës janë largpamëse“ (Haradinaj) ose se „Rama është keqkuptuar në Kosovë“, (Xhaviti). Por çfarë do të thotë kontroll i KFOR-it në një pjesë të territorit të Kosovës? Heqje dorë qoftë përkohësisht nga sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit. Rikthim në datën e 16 shkurtit 2008! Pra zhbërje e pavarësisë. Më pas do të thotë ri diskutim, nëse kjo pjesë do ti takojë Kosovës apo Serbisë! Rama dhe Vuçiç kanë këto synime, ndaj dhe kërkoojnë protektorat të NATO-s në veri të Kosovës. Ndërsa Haradinaj e Xhavit Haliti e dine këtë e megjithatë e mbështesin Ramën. Duke mbështetur Ramës, mbështesin edhe kërkesën zyrtare të Serbisë dhe presidentin e saj në këtët kërkesë. Kjo është e vërteta!”, thekson ai.
Dr. Bytyçi thekson se Kosova ka kushtetutën e saj dhe ajo nuk mund të ndryshojë pse këtë e kërkon Vuçiç, Rama, Daçiç, Gjuriq dhe pse e mbështesin disa sharlatanë në Kosovë e në Shqipëri.
“Thashë se kjo nuk do të ndodhë. Sepse asgjë nuk mund të ndodhë me asnjë m2 territor në Kosovë pa dakordësinë e institucioneve të saj. Kosova ka kushtetutën e saj dhe ajë nuk mund të ndryshojë pse këtë e kërkon Vuçiç, Rama, Daçiç, Gjuriq dhe pse e mbështesin disa sharlatanë në Kosovë e në Shqipëri. Vendimet për fat të mire nuk I marrin tashmë sharlatanët “largpamës”, siç thotë “gomari” i Ramës, nëse i referohemi deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë në konferencën e shtypit në Pejë nëntorin e vitit 2018. Vendimet I marrin parlamenti, presidentja e vendit dhe qeveria e Kosovës. Këta nuk janë të lajthitur! Janë në formë të plotë”, ka nënvizuar ai.
Në fund Bytyçi rikujtoi se më 24 shtator Kosova, policia, institucionet, qeveria e kryeministri Kurti, presidentja Osmani, korrën një sukses historik.
“Kjo date, pra 24 shtatori, do të hyjë në histori njësoj si ngjarjet më të rëndësishme të Kosovës në tri – katër dekadave të fundit. Data 24 shtator është date e kthesës historike në funksion të ndërtimit të shtetësisë e jo të rrënimit të saj! Prandaj dhe çfarëdo të thonë e të kërkojnë ata që dështuan atë ditë, asgjë e rrezikshme nuk do të ndodhë”, përfundoi profesori.