Trump i dërgon letër Vuçiçit, bëhet e ditur përmbajtja e letrës (FOTO)

Siç ka njoftuar shtypi një ditë më parë, edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka marrë një letër nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Derisa deri më tani vetëm ishte raportuar për letrën, ndërsa sot janë bërë të ditura edhe detajet, shkruajnë mediat serbe, përcjell Telegrafi.

E vetmja gjë që njihej ishte fakti se letra i ngjante pak a shumë letrës së dërguar presidentit Hashim Thaçi, nga presidenti Trump.

Kështu, Trump ka thënë se ai ishte i kënaqur që kishte takuar Vuçiqin në Paris në nëntor të këtij viti, kur ata festuan 100 vjetorin e fitores në Luftën e Madhe.

“Shtetet e Bashkuara vlerësojnë udhëheqjen tuaj, veçanërisht në sigurimin e normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Kosovën. Duke pasur parasysh faktin që ju jeni duke hyrë në fazën përfundimtare të një marrëveshjeje me Kosovën, e cila do të sjellë paqen e gjatë të dëshiruar në rajon, unë ju inkurajoj që të përfitoni nga ky moment dhe të përdorni udhëheqjen politike në marrjen e vendimeve që do të plotësojnë interesat e të dy vendeve. Do të ishte një keqardhje e madhe të humbasim këtë mundësi unike për paqen, sigurinë dhe rritjen ekonomike”, citohet të ketë thënë Trump.

Përveç kësaj, siç shkruajnë tutje mediat serbe, ai shkroi se apelon tek të dyja palët, si Beogradin po ashtu edhe Prishtinën, që sa më shpejt që të jetë e mundur të arrijnë një marrëveshje për normalizimin dhe të përmbahen nga veprimet që pengojnë procesin.

“Marrëdhëniet paqësore dhe produktive midis Serbisë dhe Kosovës do të ishin një moment historik për rajonin. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të ndihmojnë. Marrëveshja midis Serbisë dhe Kosovës është afër. Ju pres ju dhe kryeministrin Hashim Thaçi në Shtëpinë e Bardhë, për të festuar atë që do të ishte një marrëveshje historike”, ka shkruar Trump.

Ndryshe, presidenti Trump i kishte dërguar një letër edhe presidentit Thaçi, në të cilën kishte shprehur të njëjtat shqetësime. /Telegrafi


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu