Melania Trump tha se burri i saj është “zotëri i nderuar” dhe se gratë që e kanë akuzuar për sulme seksuale, gënjejnë, transmeton REL.
Ajo po ashtu tha se komentet që ka bërë Donald Trump për gratë në një video-incizim të vitit 2005 janë të papranueshme, porse nuk e përfaqësojnë njeriun që ajo njeh.
Në këtë video-incizim, Trump, kandidat i republikanëve për president të SHBA-së, është mburrur se si mund të “kapë” gra, pa pëlqimin e tyre, vetëm pse është i famshëm.
Ky fjalor ka bërë që shumë republikanë të tërheqin mbështetjen për të.
Që nga publikimi i videos, gati dy javë më parë, shumë gra kanë dalë publikisht duke akuzar Trumpin për sulme seksuale, të cilat ai i mohon.
“Unë e di, ai i respekton gratë, por po mbrohet sepse ato janë gënjeshtra”, tha Melania Trump në një intervistë për CNN-in.
“Unë i besoj burrit tim. Ai është i dashur, zotëri i nderuar dhe nuk do të bënte kurrë një gjë të tillë”, tha ajo.