Trump sot e ndryshon Amerikën

Presidenti i zgjedhur Donald Trump sot betohet si presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara. Ceremonia në ambientet e Kapitolit është pjesë e një tradite të gjatë, dhe si e tillë karakterizohet nga fjali të zgjedhura, pjesëmarrje të ish presidentëve, anëtarëve të Gjykatës Supreme, anëtarëve të Kongresit dhe personaliteteve publike. Deri në këtë pikë ceremonia do t’u përngjajë atyre që jemi mësuar t’i shohim më parë.

Ajo që e dallon këtë ceremony nga të mëparshmet janë urdhërat e shumtë ekzekutivë, të cilat presidenti Trump do t’i nënshkruajë pas betimit. Me firmosjen e mbi 100 urdhërave ekzekutivë Trump synon të ndryshojë fizionominë e Amerikës, e cila është dominuar nga shembëlltyra e liberalëve.

“Këto do të jenë mbi 100 veprime ekzekutive – urdhëresa që burokracitë të ndryshojnë drejtimin”, ka thënë Stephen Miller, zy. shefi i personelit për politikat.

Urdhëresat do ta anashkalojnë Kongresin në mënyrë që t’i zhbëjnë politikat e Joe Biden nga çështjet klimatike e deri tek çështjet gjinore, duke i realizuar premtimet e fushatës për siguri të kufirit, rritjen e prodhimit të energjisë dhe shënjestrimin e transgjinorëve.

Dita e sotme do të shënojë fillimin e faljes masive të atyre që u përfshinë në ngjarjet e 6 janarit 2021, gjatë sulmit në Kapitol.

Urdhërat ekzekutivë do t’i zhbëjnë politikat e administratës Biden për imigracionin. Rikthimi i disa klauzolave ligjore do të mundësojë dëbimin e menjëhershëm të azil-kërkuesve në kufirin me Meksikën.

Një nga premtimet më të mëdha të Trampit është deportimi masovik i imigrantëve ilegalë. Disa kanë paralajmëruar se të hënën mund të fillojë arrestimi masovik i tyre në Çikago.

Në këtë kuadër pritet rifillimi i ndërtimit të murit në kufirin me Meksikën, i cili ishte boshti i fushatës së presidentit Tramp më 2016. Ndërprerja e punimeve qe ndër veprimet e para të administratës Biden.

Trampi gjithashtu ka premtuar vendosjen e tarifave tregtare ndaj Kanadasë, Meksikës dhe Kinës që ditën e parë.

Sa i përket Tik Tok-ut, Trampi u bëri me dije simpatizantëve të tij dje në Uashington se ka mundësi që ndalesa e Gjykatës Supreme të shtyhet për tre muaj derisa të vendoset fati i këtij aplikacioni. Pritet që Trump të rikthejë Tik Tokun për shkak të mbështetjes që e pati nga të rinjtë.

Një numër i urdhërave ekzekutivë kanë të bëjnë me shfrytëzimin e energjisë dhe zhbërjen e urdhëresave të ish presidentit Biden për ndalimin e shpimit në brigjet e Paqësorit dhe Atlantikut, si dhe në zonat e Arktikut në Alaskë. Trump do të eliminojë të ashtuquajturin mandat të makinave elektrike, i cili parashikon që prodhuesit t’i përgjysmojnë emisionet e gazrave deri në vitin 2027.

Shumë herë gjatë fushatës, presidenti Tramp tha se qeveria amerikane do të njohë vetëm dy gjini: mashkullore dhe femërore. “Me një të rënë të lapsit do ta ndalojmë çmendurinë transgjinore”, tha ai në dhjetor në Arizona. Mbrëmë në Uashington, Trump ripërsëriti se meshkujt nuk do të mund të garojnë në sportet e femrave.

Të gjitha këto veprime të administratës Trump 2. do të hasin në kundërshtime të rrepta nga demokratët dhe pritet të dominojnë luftën e brendshme politike gjatë katër viteve të ardhshme.

Megjithatë presidenti Trump, i bindur se gëzon mandatin e votuesve amerikanë, planifikon të nënshkruajë një numër rekord të urdhërave ekzekutivë gjatë ditëve të para në zyrë. Inaugurimin e sotëm, Trump e ka quajtur “dita e çlirimit të Amerikës”./ina


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu