Gjatë intervistës së parë televizive, të cilën Donald Trumpi e ka dhënë që kur e ka marrë pozitën e presidentit të SHBA-ve, ai ka deklaruar se përgjegjësitë e reja e kanë “shqetësuar”, shkruan Daily Mail.
Në intervistën e dhënë për televizionin “ABC”, ai ka folur gjerësisht për çdo gjë, duke filluar nga “letra e bukur” të cilën e ka marrë nga Barack Obama e deri te përshkrimi i Chicagos si një betejë më e keqe se ajo e Afganistanit, transmeton Telegrafi.
Trump ka pranuar se marrja e të ashtuquajturave “kodet e arta” ose kodet për autorizimin e lansimit të armëve bërthamore, ka qenë një “përvojë e tmerrshme” që i ka treguar se sa shumë përgjegjësi bie mbi pozitën që ai e ka tani.
“Kur më kanë shpjeguar se çfarë përfaqëson kjo dhe për çfarë lloj shkatërrimi bëhet fjalë, më duhet të pranojë se ka qenë një moment shumë shqetësues. Në njëfarë mënyre ka qenë shumë, shumë e frikshme”, ka deklaruar Trump.
Megjithatë, ai ka bërë të ditur se tani është i vetëdijshëm për shumë gjëra, dhe se do të marrë vendime të drejta kur është nevoja.
“Kam besim në veten, do ta bëjë më të mirën të mundshme, por është shqetësuese”, ka shtuar Trump.
Ai ka pasur fjalë të mira edhe për letrën të cilën ia kishte lënë Barack Obama në Shtëpinë e Bardhë, siç e do edhe tradita.
“Nuk do t’ua tregojë, as lexojë, por më duhet të pranojë se është një letër shumë e mirë. Është e shkruar gjatë, me kujdes dhe komplekse. I kam telefonuar që ta falënderojë për mendimet e tij. I jam falënderues”.
Gjatë intervistës së parë televizive, ai gjithashtu ka dënuar rritjen e dhunës në Chicago, duke e përshkruar situatën në atë metropol si një fushëbetejë.
“Është gjakderdhje. Gjakderdhje e tmerrshme. Gjakderdhje të tilla nuk ka as në Afganistan. Gjatë një periudhe të shkurtër kohore mijëra njerëz janë qëlluar. Chicago është si një zonë lufte”, ka thënë ai.
Të martën, Trump ka kërcënuar autoritetet e Illionois se do të dërgoj forcat federale në Chicago nëse nuk reduktohet dhuna në atë qytet.
Ai e ka mbrojtur ashpërsimin e politikave anti-emigracion, dhe pranoi se muri në kufirin me Meksikën do të ndërtohet dhe koston e tij do ta paguajë qeveria meksikane.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, ka folur gjithashtu për atë se si SHBA-të është dashur të mbajnë naftën irakiane.
“Është dashur ta marrin naftën në Irak. Është interesant fakti se si sot nuk do të ekzistonte ISIS-i nëse do ta kishim marrë naftën, sepse ata po e ‘mbushin’ veten me naftë”, ka shtuar ai.
Ndërkaq duke folur për luftën kundër terroristëve, Trump ka thënë se torturimi ka rezultuar efikas në luftën kundër tyre, duke pranuar se këtë informacion ia kanë thënë zyrtarët e lartë të inteligjencës. /Telegrafi/