Vetëm katër ditë para skadimit të afatit, KSHZ njoftoi se u arrit numri minimal prej 6400 votash për zgjedhje të deputetit nga diaspora. Në pajtim me rregullat e Kodit zgjedhor, një deputet nga njësia e shtatë zgjedhore do të zgjidhet nëse për të votojnë të paktën 6478 votues, aq sa ishte numri i votave në zgjedhjet e fundit të mbajtura në vitin 2014. Këshilltarja në KSHZ Lubka Gugutçeska u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit, të vazhdojnë të paraqiten për të votuar në zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit.
“Me ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor, parashikohet që për t’u zgjedhur një deputet nga diaspora, ai duhet të fitojë të paktën 6478 vota. Deri tani kemi 8258 paraqitje të pranuara nga ana e KSHZ-së, ndërsa afati ende vazhdon. Ai do të skadojë më 11 nëntor në orën 24. Pra, kushtet që të zgjidhet një deputet nga diaspora sipas modelit proporcional – janë përmbushur”, u shpreh Lupka Gugutçeska, Këshilltare në KSHZ.
Siç njoftoi KSHZ, numri më i madh i të paraqiturve janë nga:
BERNI – 1396 të paraqitur
Venecia – 1298 të paraqitur
Detroit – 1133 të paraqitur
Edhe pse kanë mbërritur mbi 10 mijë paraqitje, KSHZ pranoi vetëm 8258 . Pjesa më e madhe e tyre janë refuzuar për shkak se qytetarët, në vend që të dorëzojnë dokumente të lëshuara nga organi kompetent i vendit ku jetojnë, ata kanë dorëzuar dokument të lëshuar nga organet e Maqedonisë. Sa u përket të ashtuquajturve “votues të kontestueshëm”, KSZH njoftoi se nga 29 858 votues, sot deri në orën 13 janë paraqitur vetëm 542 qytetarë, nga të cilët janë pranuar 534. Për kontroll publik në Listën Zgjedhore, sipas Gugutçeskës, në njësitë dhe zyrat rajonale të KSHZ-së, deri mbrëmë janë paraqitur gjithsej 4236 qytetarë.