“Ujku i Çeliktë”, Osmani e Kurti vlerësojnë lart guximin dhe qëndrueshmërinë e FSK-së

Në kuadër të ushtrimit fushor ”Ujku i Çeliktë”, Forca e Sigurisë së Kosovës ka organizuar Ditën e Vizitorëve me ç’rast u demonstruan edhe disa operacione ushtarake.

Ky ushtrim fushor u realizua në poligonin ushtarak në Babaj të Bokës në Gjakovë, ndërsa nga afër këtë ushtrim fushor e përcolli komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Vjosa Osmani bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci e komandantin e përgjithshëm të FSK-së, Bashkim Jashari.

Në këtë ushtrim fushor morën pjesë mbi 1 mijë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha se stërvitja fushore “Ujku i Çeliktë” dëshmoi përkushtimin dhe gatishmërinë për mbrojtjen e territorit të Kosovës.

Komandantja supreme teksa u shpreh shumë krenare për Forcën e Sigurisë së Kosovës tha se ky ushtrim fushor demonstroi qëndrueshmëri dhe guxim.

Shefja e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani u shpreh se me këtë stërvitje fushore ushtarët e FSK-së dëshmuan se ushtria e Kosovës ka aftësi dhe kapacitete operacionale profesionale sipas standardeve më të larta të vendeve të NATO-së.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ushtrimi i sotëm është më i madhi dhe më i sofistikuari i Forcës së Sigurisë se Kosovës.

Kurti para ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës tha se më ushtrimin e sotëm u tregua se Kosova po bëhet gati me zell të madh për Defender 2025.

Në Ditën e Vizitorëve të realizuar në kuadër të ushtrimit fushor “Ujku i Çeliktë”, u ekspozuan edhe disa pajisje ushtarake të cilat i inspektoi nga afër komandantja supreme, Vjosa Osmani.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu