Përplasje mes partive për shportën e Vitit të Ri. Opozita thotë se nuk ka asnjë ulje të çmimeve, ndërsa sipas partisë në pushtet janë ulur çmimet e rreth 1000 produkteve.
LSDM akuzon se në vend të masave reale për një jetë më të mirë, qeveria në krye me Mickoskin u ka mundësuar tregtarëve të pasurohen në kurrizin e qytetarëve. Nga shporta e shumëpërfolur të vjeshtës morëm vetëm rritje të inflacionit në nëntor prej 4,3%, thonë nga kjo parti.
“Mickoski paralajmëroi shportë të Vitit të Ri me gjoja çmime më të ulëta të produkteve ushqimore, por sipas të njëjtit model, pasi e paralajmëroi, u la hapësirë tregtarëve që t’i rrisin çmimet. Është evidente se për festat e Vitit të ri, shportat e qytetarëve do të mbeten të zbrazëta, vetëm arkat e tregtarëve do të mbushen”, tha Kristina Kostova – nënkryetare e LSDM-së.
LSD e rriti TVSH-në për produktet ushqimore duke thënë se “çips” është ushqim i dëmshëm dhe se është produkt luksi, ndërsa me shportën e Vitit të Ri për herë të parë përfshihen 1000 produkte, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
“Me shportën e Vitit të Ri për herë të parë përfshihen rreth 1000 produkte që do të sjellin çmime më të ulëta të produkteve ushqimore. Me masat efikase ekonomike të qeverisë ulen çmimet të produkteve ushqimore bazë dhe bashkë me pensionet dhe pagat e rritura në mënyrë të drejtpërdrejt mbrohet standardi i qytetarëve”, thonë nga VMRO-DPMNE.
Nga VMRO-DPMNE akuzuan se gjatë qeverisjes së LSDM-së, 500 mijë qytetarë jetonin në varfëri të skajshme që ditën e kalonin me 150 denarë, pensionistët protestuan para qeverisë me kavanoza të zbrazët, për shkak se, siç thonë, pensionet që ua jepte LSD nuk mjaftonin as për zarzavate.