Nëse çështja e hapur për debat lidhur me themelimin e një institucionit të ri të arsimit të lartë në Shkup, bëhet realitet, kjo padyshim që do të paraqet një nga të arriturat më të mëdha drejt afirmimit dhe fuqizimit të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë. Krahas universiteteve ekzistuese (dy në gjuhën shqipe dhe universiteteve të tjera), Universiteti i Ri në Shkup do të vendosë shtyllën e munguar të një sistemi të ekuilibruar të zhvillimit arsimor, kulturor dhe social të shqiptarëve. Kështu, krahas gjashtë universiteteve tjera publike ( ku vetëm njëri është në gjuhën shqipe), me këtë hap do të konsolidohet rrjeti i arsimit të lartë në mënyrë të natyrshme dhe të drejtë, me çka Republika e Maqedonisë do të konfirmojë përcaktimin për politika mbështetëse dhe promovuese të arsimit si prioritet strategjik të deklaruar edhe formalisht në programet qeverisëse të shumë qeverive të deritanishme. Në rrethanat që ndodhet vendi ynë, duke marrë parasysh edhe rrjedhat e gjithmbarshme sociale dhe ekonomike, si një shtet i vogël dhe me pak resurse natyrore, mund t’i krijojë gjeneratave te reja mundësi të shumta për një jetë më të mirë, më dinjitoze edhe në sfidat integruese dhe globalizuese të paevitueshme. Vetëm një rini a një popullatë, e pajisur me dije dhe kompetenca të kohës, mund të jetë e aftë që të përballoje këtë sfide dhe të ruajë dhe kultivojë edhe në këto rrjedha identitetin e vet dhe të mos e dëmtojë dinjitetin e kultivuar me gjenerata. Nisur nga këto synime sublime që mund të arrihen vetëm me edukim, dije dhe njohuri shkencore, si edhe bazuar në qëllimet e qarta të politikave të deklaruara, padyshim që kjo ide do të mbështetet edhe nga instancat përkatëse për vendimmarrje formale në instance të parapara me ligj.
Por, me të drejtë janë të shumtë ata që e shtrojnë pyetjen se a do mjaftojë vetëm kjo? Duke e ndjerë rëndësinë e veprimtarisë arsimore dhe duke mos harruar rrugëtimin e arsimit shqip në të gjitha nivelet, në gjithë periudhën e tranzicionit, me të drejtë debati u përshkua nga shqetësimi dhe pyetjet se “a kemi vullnetin, përkushtimin dhe mundësinë për të bërë një institucion të arsimit të lartë, që do të ishte në nivelin e duhur të aftë për arritjen e qëllimeve “si dhe pyetja tjetër që e shtrojnë në veçanti ato që më së shumti kanë dhënë për të, e duan dhe kanë pritur me padurim rezultatet e sakrificës së përbashkët, e që mund të përmblidhet si “a kemi ne të drejtë të dështojmë në këtë mision”.
Kuptohet që fatmirësisht, përkundër nëntekstit skeptik, këto pyetje janë të ndryshme nga ato që ngriheshin me të drejtë këtu e 15 vite më parë, kur dominonte pyetja: “ a kemi ne të drejtë të shkollohemi në gjuhën amtare, në gjuhën shqipe”. Pra, së pari mund të llogaritet sukses dhe arritje që për 15 vite çështja e arsimit u tejkalua si problem ( madhor) politik dhe tani natyrshëm po zhvendoset në atë të sigurimit të një arsimi cilësor,të institucioneve që do të synojnë nga shkëlqyeshmëria ( ekselenca) dhe që do të prodhojnë produkt të kërkueshëm dhe lehtësisht të plasueshëm si në tregun e dijes po ashtu edhe në tregun dinamik dhe agresiv të punës. Sado që nuk ka qenë e lehtë ajo fazë kur u hodhën themelet e universiteteve ekzistuese ( si të USHT po ashtu edhe të UEJL), kjo kohe e shkurtër “postuniversitare “ tregoi që sigurimi i cilësisë në arsim në të gjitha nivelet, funksionimi i decentralizimit si dhe konsolidimi institucional, akademik, respektivisht i cilësisë së arsimit të lartë, qenka sfidë aspak më e vogël. Rangimi aspak i këndshëm (nga të fundit në Ballkan, pa mos e krahasuar me hapësira tjera) i institucioneve të arsimit të lartë në gjuhën shqipe, nuk mund të lë indiferent askënd. Plotësuar ky fakt edhe me përvoja dhe njohuri edhe personale dhe të institucioneve përgjegjëse, nuk ka se si të mos bëhet edhe brengë e dhimbshme që prêt një zgjidhje. Por, tani më jo nga të tjerët, por nga ne, nga ne të gjithë që me aq mund hapëm, mbajtëm dhe kultivuam arsimin shqip edhe në kohë të vështira, si në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e gjetiu. Retorikat relativizuse, justifikimet naive pa asnjë mbulesë dhe qasjet provinciale në debatet aktuale, me sa duket nuk i kanë ndihmuar dhe as që mund t’i ndihmojnë situatës.
Prandaj themelimi i një Universiteti të Ri në Shkup, duhet marrë jo vetëm si një akt procedural juridik ”Déjà Vu”, sepse për dallim nga herët tjera, ky nuk duhet të paraqesë ndonjë problem të veçantë në këtë drejtim. Ky akt do të duhet të jetë i dallueshëm për nga pjekuria përkatëse e strukturave vendimmarrëse, tani më të pajisura me njohuritë e shumta, për ta vënë mandatin e tyre në interes të pritjeve të qytetarëve për një ndjeshmëri më të lartë ndaj interesit publik. Njëkohësisht përcaktuese për sukses do të jetë edhe serioziteti dhe përkushtimi i strukturës intelektuale, akademike për të ngritur këtë ngrehinë mbi parimet akademike dhe standarde të kërkuara, tani më të përligjura edhe në aktet tona normative. Unë jam i bindur që të gjithë do të jenë në nivelin e pritjeve të kohës, nëse nuk duam edhe me tutje atë ta çojmë bjerrë. Jo rastësisht në librat e shenjtë shkruajnë “Pasha kohën”. Është e ditur që vonesat në çdo fushë kanë pasoja të rënda, kurse vonesat në arsimin e gjeneratave te reja po na shtyjnë të konsumojmë edhe kohën e tyre. Këtë nuk na lejohet ta bëjmë. Kjo do të ishte krim. Dhe se fundi, duhet thënë se realizimi i një ideje të tille, sado që të jetë arritje, ajo më shumë do të jete test, do të jetë detyrë që patjetër duhet realizuar me sukses.