Vesel Memedi sulmon ashpër Selën, ja për çfarë e akuzon

Kryetari i RDK-së, Vesel Memedi ka lëshuar akuza të rënda ndaj ish partnerit të tij të koalcionit, Ziadin Selës.
Kafshata e madhe të mbetet në fyt!

I nderuari Ziadin Sela, prej momentit të parë që jemi takuar, e deri më sot, asnjë fjalë të vetme nuk e kam thënë publikisht për ty, për hirë të bashkëpunimit të gjatë që patëm. Për ti ndihmuar çështjes kombëtare, të kam mbrojtur më shumë se kënd do tjetër, të kamë toleruar deri në pafundësi, sidomos pas rrahjes tënde në parlament. Në emisionin e mbrëmshëm në TV Telma, ti i kalove të gjitha kufijtë, duke ngritur veten tënde, dhe duke ofenduar të gjithë ata që ishin pjesë e ngritjes tënde. Këtë film e kemi pa shumë herë edhe në të kaluarën, me figurat e ndryshme publike.

Nuk shohim ndonjë dallim. Asnjëherë nuk e kam patur ndërmend të polemizoj me ju, por pasi që mu drejtove publikisht me fjalët “turp për Vesel Memedin”, dhe kërkove që unë ta kthej mandatin e deputetit, dhe ta dorëzoj ministrinë të cilën kinse e kam fituar me ndihmën tënde, më bëre borxhli që publikisht të përgjigjem, tua freskoj memorien dhe kujtesën, sepse me sa duket, e ke marr veten mësysh, si që thotë populli: “Hajt bac e tu rrit mendja.”

Më lejo tua bëj disa pyetje publike, edhe pse nuk do të kesh jetë politike të më përgjigjesh.

1. Kush ishit ju para se të formojmë Aleancën për Shqiptarët?

2. A e dini si matet pesha politike e individit, dhe një subjekti politik?

3. A e dini çdo të thotë ti bësh ballë një regjimi antikombëtarë dhe kriminal, individualisht, familjarisht dhe politikisht?

4. A e dini çdo të thotë t’i shpallësh luftë si individ, si subjekt politik, një projekti antikombëtarë, i përkrahur nga elemente dhe institucione shtetërore, me financa marramendëse nga brenda dhe jashtë?

5. A e dini çdo të thotë të dalësh në përkrahje publike, viktimave të projekteve antikombëtare të regjimit të Millosheviqit,? dhe për fund,

6. A e dini çdo të thotë të ju shpallësh luftë, në emrin tënd personal, dhe në emër të një subjekti politik, një garniture pushtetarësh, që kanë abuzuar me pushtetin e kaluar mbi 12 vite, veglave dhe shërbëtorëve antikombëtarë, që kanë bashkëpunuar me dreqin dhe birin e dreqit për përfitime personale?

Më lejo tani tua them disa të vërteta të hidhura publikisht.

1. Ju z. Sela, shfrytëzuat mundin dhe djersën e gjithë shqiptarëve, dhe të gjithë subjekteve politike, duke përfshi edhe subjektin nga i cili u largove, PDSH-në, për tu ulur në kolltukun e Komunës së Strugës, jo sepse ishe më i miri, por sepse në atë kohë subjektet politike shqiptare zhvillonin një luftë të tmerrshme politike, të udhëhiqet nga një shqiptarë, pas ndarjes territoriale dhe trazirave të njohura kundër ish kryeministrit Buçkovski.

Gjatë asaj periudhe katër vjeçare, që ti shijoje privilegjet e pushtetit, dhe bëje emër, unë në Komunën e Gostivarit, pa kurrfarë kolltuku dhe privilegji, në emër të RDK-së, dhe ish mbeturinës Rufi Osmanit, me të cilin dje u përqafuat fortë, zhvilloja betejën politike kundër korrupsionit, dhe kundër subjektit më të fortë shqiptarë BDI-së. Ju z. Sela, pas kalkulimeve dhe matematikave tua, për interesa personale për të marr edhe një mandat, vendose që kapitalin moral politik, të fituar nga shqiptarët, dhe nga partia jote PDSH, të ia kthesh shpinën subjektit tënd, sepse mendove qe ajo parti, dhe ai kryetar, kanë humbur forcën dhe nuk kanë çka të ju duhen, dhe dëshiroje që mbi gërmadhat e asaj partie të ngreshë veten me parullën, “ta ndrojmë kryetarin Menduh Thaqin, dhe të bësh reforma brenda PDSH-së.”

Gjatë asaj kohe që ti bëje lojëra me partinë tënde, partia ime ishte para mbylljes, dhe kryetari im i asaj kohe i lodhur, i dështuar, dhe i maskuar, ma dorëzoi mua partinë, me një prapavijë të errët, që nëpërmjet mua, ta shesë partinë dhe aktivistët partiak te Lëvizja Besa, me shpresë se ajo lëvizje do arrijë ti manipuloj shqiptarët, do e shkatërroj BDI-në, dhe do vazhdoj projektin e 1997, që i kishte mbetur në gjysmë.

Prej atij momenti që fillove aktivitetin tënd politik në emër të LR-PDSH-së, ti mbete i vetëm, me përjashtim të disa individëve të të njëjtit subjekt që kishin lëshuar partinë më herët, për arsye të ndryshme, dhe askushi tjetër nuk ju bashkangjit, edhe pse ti nuk lëje vend pa i futur hundët. Vetëm ua përkujtoj për të parë veten, se sa peshë kishe tek Lëvizja Besa, shihe inçizimin e përbuzjes tënde nga kjo Lëvizje, në tubimin e organizuar nga këshilli mbipartiak, ku i dhanë fjalë Kim Mehmetit, kurse ty as që të lejonin ti afrohesh mikrofonit.

Ai inçizim sqaron më së miri peshën tënde politike në atë kohë, kur unë publikisht e kam sulmuar lëvizjen politike, fetare, që në fillimet e saja, dhe bartësit e kësaj lëvizje.

Më lejo ti them disa fjalë, si u bëre i famshëm, nga një i përbuzur. Në momentin që u afrove me mua dhe formuam Aleancën për Shqiptarët, unë ju përkraha me gjith fuqinë time intelektuale, njerëzore dhe partiake, gjë të cilën e bëri edhe Gëzim Ostreni me Unitetin, me të vetmin qëllim ta rruajmë frymën opozitare të mirëfilltë, pa u bërë pjesë e skenarëve të nëntokës.

Në emër të kësaj Aleance, u reklamove, shfrytëzove rastin të takohesh me ndërkombëtarë, ambasador, intelektual, me diasporën e nderuar, me Shqipëri e Kosovë, dhe më shumë se kaq. Të lejuam që në emër të platformës së përbashkët të ulesh si njeri me peshë, dhe të negociosh me lider të pozitës dhe opozitës, deri sa fillove edhe të ju kërcënohesh në emër të kërkesave kombëtare. Edhe pse sjelljet e tua na u dukën të dyshimta, si një njeri që dëshiron ta imponon veten, si një lider i gjithë shqiptarëve, ende pa bërë asgjë për shqiptarët, por nuk ta varëm veshin, të toleruam, me bindje se je duke i ndihmuar çështjes kombëtare dhe procesit të ndryshimeve.

Në momentet më të rrezikshme, më të nevojshme për formimin e shumicës parlamentare, disa ditë para mbledhjes për zgjedhjen e kryetarit të kuvendit, më ofrove një ofertë të çuditshme, kërkove prej meje që ti bashkangjitemi Besës? Në përgjigjen time se kjo nuk është e mundur, ju atë natë u përshëndete me mua me këto fjalë, “me ju pa ju, unë do shkoj me ata tjerët.” Prej asaj dite, deri në ditën tragjike e ndërpreve komunikimin edhe me mua edhe me Gëzimin, dhe deklarove se Gëzimi nuk përfaqëson asgjë te UNITETI, por Qufli Adili është personi me të cilin duhet të bashkëpunohet. Kamë bërë përpjekje maksimale që të kemë mirëkuptim ndaj sjelljeve tua të dyshimta, por mos harro se ajo ngjarje në parlament ka qenë shumë e rëndë për të gjithë neve, por për ju nuk mund të flitet, shqiptarët për ju atë ditë kanë qenë të gatshëm të nisin luftën në mes të Shkupit, mos dhashtë Zoti të kishe qenë pjesë e ndonjë skenari.

Si zakonisht, në Maqedoni, pas çdo incidenti apo trazire, rregullisht janë dënuar aktorët e ndryshëm, por asnjëherë nuk janë dënuar skenaristët e ngjarrjeve, ose urdhërdhënësit e vërtetë, prandaj skenaristëve të vjetër gjithmonë u është lënë hapësirë për të bërë skenare të reja. Në politikë, nëse nuk i njeh mirë aktorët dhe skenaristët e vërtetë, shumë shpejt bie pre e skenarëve të tyre, dhe pastaj futesh në një rrugë pa kthim, nga e cila përfitojnë skenaristët, humbin qytetarët dhe gjithë ata që kanë vullnet të mirë, por nuk kanë njohuri për skenarin që mund të realizohet. Më vjen keq që ke rrënë pre e skenarëve të nëntokës dhe ke mashtruar veten, se me vota të dyshimta matet pesha politike e individit dhe subjektit që përfaqëson.

Më thuaj, si fitove peshë në politikë dhe si arrite ti dhe ministri yt, të dilni fitues kaq të mëdhenj, dhe të grumbulloni aq shumë vota, nga një i përbuzur që nuk të donin t’ju shihnin në tubim, dhe nuk të lejonin ti afrohesh mikrofonit, që e pa krejt bota? A me të vërtetë keni bindur veten se, tjetër kush do zhvilloj një betejë të tmerrshme me vite me radhë, dhe do e dobësoj PDSH-në tënde, dhe do e nxjerr nga loja Menduh Thaqin, dhe ju do ju imponoheni si lider gjithë votuesve të PDSH-së pa Menduh Thaqin? A me të vërtetë keni bindur veten se tjetër kush në emër të Aleancës do i kundërvihet Lëvizjes Besa që në fillimet e saja, do e dobëson, do e shkatërron si parti, dhe ju do ju imponoheni votuesve të Besës si shpëtimtari i tyre?

A me të vërtetë ke bindur veten se, tjetër kush do zhvilloj me vite një luftë të tmerrshme kundër pushtetit të kaluar, dhe ju bashkë me ministrin tuaj, do vini me dy votat e juaja në Kuvend, do merrni pjesën më të madhe të kulaçit qeveritar, dhe nga pozicioni qeveritar do shkatërrosh forcat tjera të koalicionit, dhe do imponoheni si lider i opozitës dhe pozitës, që nuk çanë kokën për të tjerët? A me të vërtetë ke bindur veten se e ke hallin të vlerësosh se kush duhet të mbetet në qeveri dhe kush duhet të largohet?

A me të vërtetë keni bindur veten ju dhe Taravari juaj se, me grumbullimin e individëve të dështuar në politikë, qe ua ka ofruar tjetër kush të gatshëm një turli-tavë, të cilët populli shqiptar i ka luftuar me vite të tëra, do bëheni forca e parë shqiptare që do vendos për fatin e shqiptareve? Më thuaj nga doli Taravari një patriot i madh shqiptar, çfarë bëri për shqiptarët gjatë karrierës së tij që u bë kaq i famshëm në Gostivar dhe më gjërë? Më duhet të shpjegoj pak më thjeshtë skenarin e mashtrimit tuaj.

Skenari i daljes në sipërfaqe të një lëvizje politike fetare, që më vonë u pagëzua me emrin Besa, tentimi i Rufi Osmanit me çdo kusht për ta fuqizuar këtë Lëvizje, dhe tentimi i Taravarit me çdo kusht që LR-PDSH te bashkëpunoj me këtë Lëvizje, nuk ishte as naive, as e rastit, dhe as dëshirë e disa të rinjve të shkolluar, për ta ndihmuar kombin apo fenë, me një lëvizje politike. Kjo ishte një projekt skenar, i përpiluar deri në detajet më të imëta që në paraqitjen e parë do i nxjerri në sipërfaqe disa fytyra të reja, me një patriotizëm të flakët, dhe me një sjellje të koordinuar, që do duket si një rilindje kombëtare, që do ti mahnitë shqiptarët e Maqedonisë me oratori dhe populizëm të paparë.

Rrugën që e ndoqe me aq mundim për të përfunduar në Aleancë me Besë, për mua ka qenë shumë e lehtë prej fillimit, sepse edhe vet jamë medresant, dhe mesiguri po të kisha pranuar të bëj kësi lojrash, unë sot do të isha personi më i lavdëruar, më i lartësuar, që ndoshta sot do të isha në krye të asaj lëvizje, sepse besimi i tyre ndaj sinqeritetit tim dhe ndaj përgatitjes time profesionale është shumë i madh sesa ndaj teje.

Në politikë, bëhet matja e vizionit të qartë për të ardhmen, momenti historik në cilin veprohet, forcat e pushtetit që i kundërvihesh, pozicionit prej nga i kundërvihesh, forcat me të cilën disponon në momentin e qëlluar, dhe rreshtimi në anën e kujt je rreshtuar, dhe në mullirin e kujt e dërgon ujin. Ajo që na dallon neve të dyve, është lufta jote tinëzare për të bashkëpunuar me çdo kënd, me shpresë se do të marrësh votat nga çdokush, dhe do të imponohesh si një lider i madh. Bashkëpunimi jot me çdo kënd, është pikërisht politika makiaveliste, se qëllimi nuk zgjedh mjetin.

U përqafove me çdo kënd, duke filluar nga patriotët më të mëdhenjë, deri tek kriminelët më të vegjël, me të vetmin qëllim, për të fituar sa më shumë vota, dhe për të bindur veten se nëpërmes votave do të fitosh edhe peshë politike. Shumë e ke mashtruar veten, sepse po të ishte kështu matja politike, atëherë Imer Selmani arriti që të grumbullon mbi 150.000 vota, por me gjithë këtë numër të madh votash, nuk arriti që të ju imponohet shqiptarëve si një lider i madh dhe një patriot i pa harruar, por përkundrazi iu shkatërrua partia, i humbi fama dhe u struk andej nga doli, sepse ishte vetëm pjesë e një skenari të huaj, që e përdorën për një përdorim.

I njëjti fat të pret edhe ty edhe Taravarin tënd, por më vjen keq që ti të përfundosh bashkë me Taravarin. Sa më përket mua, po ta them troç: prej momentit që vendosa të luftoj Lëvizjen Besa, që u instalua nga pushteti i kaluar, dhe prej momentit që vendosa të rreshtohem në anën e viktimave politike, e kam pasur të qartë se kjo është një luftë e shenjtë për të vërtetën, që nuk të sjell shumë vota, por të bën cak i sulmeve të të gjitha formave më të ulëta kriminale.

Për fund, më thuaj mua dhe gjith opinonit shqiptarë, ku qëndron vlera e një kandidati për kryetar komune që e përkraha unë, që është djalë dëshmori i vitit 1997, që u vra për të mbrojtur flamurin kombëtar, të drejtat e shqiptarëve, dhe Taravarit tënd, apo mos vallë u vra për shkak të skenarëve të errëta që zbatuesi kryesor i atij skenari, Rufi Osmani, i gëzohet humbjes së djalit të dëshmorit, dhe i gëzohet fitores së Arben Taravarit. As unë dhe as shqiptarët nuk besoj që e kuptojmë, në përjashtim të juve, se ku qëndron patriotizmi i Arben Taravari?! Ta mbani me shëndet!
Vesel Memedi

Kryetar i Rilindjes Demokratike Kombëtare


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu