Vetëdorëzohet në Polici i dyshuari i dytë për vrasjen te “Mavrovasja”

Është vetëdorëzuar në polici i dyshuari i dytë për përfshirje në vrasjen e 59-vjeçarit Vasil Eftimov, në parkingun në afërsi të Qendrës Tregtare Mavrovasja të martën, shkruan Alsat.

Prokuroria konfirmon se i dorëzuari është person në arrati, i cili në kohën kur ka ndodhur vrasja, është dashur të jetë në burg.

“Vijon ekspertiza e provave materiale me të cilat konstatohet baza e dyshimit për përfshirje të këtij personi në ngjarje. Duke e pasur parasysh se i arrestuari është person i dënuar për vepër tjetër penale dhe ka qenë në arrati nga Burgu – Shkup, në bazë të fletëarrestit të lëshuar dhe pas konstatimit me prokurorin publik, ai sot është kthyer në burg me masa maksimale të sigurisë”, tha Prokuroria Themelore Publike.

Për vrasjen e 59-vjeçarit, si i dyshuar i parë është arrestuar 39-vjeçari E.K. nga Shkupi, të cilit, gjykatësi paraprak i caktoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Ai do të ndiqet për tre vepra penale, gjegjësisht, vrasje, tentim-vrasje dhe armëmbajtje pa leje. Paraprakisht u arrestua edhe një person, por në mungesë të provave, është lënë i lirë.

Për gjetjen e autorëve të vrasjes së 59-vjeçarit, policia angazhoi forcat speciale policore, helikopterë dhe dronë, ndërkaq bastisje janë kryer në disa lokacione. Ndonëse është zbardhur dinamika, motivi i ngjarjes mbetet i pazbardhur.

Ende nuk dihet nëse hajdutët synonin ose kanë menduar se viktima mund të posedonte sende me vlerë ose argjendari, pasi që i njëjti posedonte një dyqan argjendarie në lagjen Aerodrom. Vasil Efimov, gjithashtu ishte menaxher i firmës Mitel Mont, për shitje me shumicë të materialeve për ujësjellës e kanalizime.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu