Vetëm një shqiptar rezulton i punësuar në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup. Sipas raportit të fundit të vitit 2015 të Avokatit të Popullit, nga gjithsej 113 të punësuar në këtë institucion, vetëm 1 prej tyre është shqiptar që figuron në listën e të punësuarve, edhe ai në pozitë jo udhëheqëse.
Ndërkaq, në pozitën udhëheqëse mbizotërojnë maqedonasit me 7 të punësuar, duke lënë pas serbët me 1 të punësuar. Gjithashtu edhe në pozita jo udhëheqëse, është dukshëm më i madh numri i punonjësve maqedonas, gjithsej 94.
Të punësuarit e etniteteve tjera janë: 3 turq, 3 serbë, 2 boshnjakë dhe numër dukshëm i ulët i të punësuarve është i shqiptarëve dhe vllehëve me vetëm nga 1 të punësuar. E tepërt është të përmendet se etnitetet si boshnjakë, turq, sërbë…, që në këtë listë kryesojnë me numër më të madh të punonjësve, janë pakicë në pasqyrën e popullsisë së përgjithshme në Maqedoni.
Televizioni Shenja raporton se ka tentuar që të marrë prononcim nga ana e drejtorit bibliotekës, se cila është arsyeja që është aq i vogël numri i shqiptarëve që punojnë aty, ndërkihë që një numër i madh i studentëve shqiptarë mësojnë në këtë bibliotekë.
Megjithatë, nga zyra e tij thuhet që ai nuk ka kohë të flasë në lidhje me këtë çështje, sepse është i zënë me punë të tjera.