“Mund të them se atë ditë është bërë autopsia në mënyrë shumë profesionale, por raporti që ka dalë sot mendoj se nuk ka qenë në raport me ato që kemi parë, për arsye se thjeshtë ky proces i hetimeve është proces i lënduar për faktin se shumë më herët ka pasur të meta, me deklarata se është vetëvrarë me barna dhe vonesa e raportit, që mund dhe është bërë më herët, bëjnë që të dyshohet në raportin dhe të gjeturat nuk janë ashtu si ka qenë”, ka thënë Latifi-Pupovci, transmeton Koha.net.
Ajo ka renditur dyshimet e saj në disa pika të cilat i ka shpjeguar gjatë emisionit.
“Dëmtimet në pikën 1 dhe 2 të raportit, që janë ato lëndime në qafën e Astritit dhe në dorë, ka shënuar se janë të vetëshkaktuara dhe hezituese. Kjo mënyrë e përshkrimit ka qenë shumë e dobët, sepse kur flitet për një rast të tillë nuk përshkruhet kaq zbehtë, një e dhënë kaq e madhe. Është dashur të tregojnë mjetin me të cilin është bërë plaga dhe mënyrën se si është bërë”, ka rrëfyer ajo.
Më tej ka folur edhe për shishen e mjaltit, që është mjeti me të cilin, sipas raportit të autopsisë, është shkaktuar vdekja e Astrit Deharit.
“Shishja e mjaltit është mjeti i fortë për të cilin flitet në raport, nuk është e mundur të futet kaq thellë në grykën e njeriut sa të shkakton mbylljen e frymëmarrjes. Aty janë përshkruhen lëndimet e brendshme, ku thuhet se është lënduar gjuha dhe ka rrjedhur gjak, i cili nuk është gjetur në rrugët e frymëmarrjes, gjaku në shishe është përshkruar në pjesën që nuk ka qenë në gojë të Astritit. Pra ato lëndime që janë në gjuhë, nuk janë nga ky mjet”, shtoi Latifi-Pupovci.
Në fund si pjesë dyshimi të saj, ajo flet edhe për disa skuqje në dorën e djathtë të Astrit Deharit.
“Aty shkruhen edhe disa skuqje, që në të vërtetë kanë qenë më shumë se skuqje, në dorë të djathtë, ku thuhet se i janë shkaktuar gjatë bartjes deri në spital ose gjatë dhënies së ndihmës së parë, por ku e dinë këta se në çfarë mënyre janë shkaktuar”, përfundoi Latifi-Pupovci, teksa ka shtuar se nuk bindetm se është vetëvrasje.
“Mendoj se rasti i Astritit meriton një ekspertizë të pavarur, për arsye se është i lënduar shumë ky proces”.