Mungesa e një ftese në Europian ka bërë që Milot Rashica të heq dorë nga Kombëtarja jonë për të vijuar përfaqësimin me Kosovën në “rusi 2018”.
Lajmi bëhet i ditur nga Supersport, që zbulon vendimin e super talentit nga Kosova, i cili na ka përfaqësuar me kombëtaret e moshave, por nuk u grumbullua asnjëherë në ndeshje kualifikuese me kombëtaren e madhe, çka ndikoi edhe në mospërfshirjen e tij në skuadrën që shkoi në Euro 2016.
Mesfushori i talentuar i Viteses në Holandë ka njoftuar zyrtarisht Federatën Shqiptare të Futbollit dhe presidentin e saj Armando Duka se tani e tutje nuk do të përfaqësojë më Shqipërinë, por Kosovën.
Ajo që pritej prej javësh tashmë ka nisur: lojtarët nga Kosova që përfaqësojnë Shqipërinë janë para zgjedhjes së vështirë dhe i pari që ka ndërmarrë hapin e madh ka qenë Rashica, i cili ndoshta është lënduar jo pak nga lënia jashtë Euro 2016.
Gjithsesi, pritet një deklaratë prej tij, për të shpjeguar vendimin, që fare thjeshtë mund të justifikohet edhe si kthim në shtëpinë e tij të parë, pasi Rashica e ka treguar gjithnjë se ka një lidhje shumë të fortë me Kosovën. /InfoShqip.com/