Vjosa Osmani e rregulloi Kosovën, tani merret me mosmarrëveshjet bullgaro-maqedonase?!

Nga: Kim Mehmeti

Mediat maqedonase janë ‘mahnitur’ nga Presidentja e ‘përkohshme’ e Kosovës e cila publikisht e paska shprehur mospajtimin e saj lidhur me qëndrimin ‘bllokues’ të Bullgarisë ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në BE-së dhe këtë veprim të Sofjes zyrtare e paska vlerësuar si gabim të madhe?!

Më habit mendjelehtësia me të cilën disa media dhe politikanë shqiptarë bëhen strateg rajonal dhe pjesë e mosmarrëveshjeve mes popujve të tjerë, e që kanë dimension etnik, e jo shtetëror.

Nuk ka dyshim se ne nuk duhet të jemi kundër interesave të asnjë populli, se është në interes edhe të shqiptarëve të Maqedonisë që shteti ku ata jetojnë, sa më shpejt të anëtarësohet në BE, por është e pakuptimtë të merresh me atë se si një shtet, apo një popull tjetër, e mbron të vërtetën për vetveten!

Si do qoftë, do ishte mirë dikush t’i tregonte Presidentes së ‘përkohshme’ të Kosovës se në Maqedoni ende mbisundon mendësia politike serbe kur bëhet fjalë për jo maqedonasit dhe se, themelet e këtij shteti janë të betonuar, dhe ende ato forcohen, me parullat ‘Maqedonia vetëm e maqedonasve’, ‘Vdekje shqiptarëve’ dhe ‘Bullgarë-tatarë’.

Andaj as na ka hije, as dikush e pret nga ne, që dajakun e djeshëm ta harrojmë ende pa ardh e nesërmja, njësoj siç nuk na ka hije të shtiremi se nuk e dimë që, sado të mirë të jemi ndaj tyre, shumë maqedonas, do vazhdojnë të brohorasin ‘Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptarë i mirë’ edhe atëherë kur ata t’i rreh serbi, apo të mos i pranojë si popull greku e bullgari!


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu