Kriza në Maqedoni e rrezikon vet shtetin, por ka rrezik që të reflektohet edhe në rajon. Kështu është shprehur veterani i politikës shqiptare Azem Vllasi në intervistën për numrin e ri të Revistës SHENJA. Ai ka shtuar se interes i përbashkët i shqiptarëve dhe i maqedonasve është që këtij shteti t’i japin një identitet dhe drejtim të theksuar demokratik dhe evropian.
“Nuk di askush çfarë do të jetë ardhmëria e Maqedonisë. Por, në rrethanat e tanishme, nga një Maqedoni jostabile dhe të dezintegruar do të kenë pasoja edhe maqedonasit edhe shqiptarët. Ky shtet për momentin nuk ka alternativë, ngase qytetarët e saj për momentin nuk kanë zgjidhje tjetër. Maqedonasit duhet ta kuptojnë se pa shqiptarët e barabartë, me të drejta të plota që u takojnë, nuk mund ta kenë shtetin”, ka thënë Azem Vllasi në intervistën për Revistën SHENJA.
Duke komentuar faktorin politik shqiptarë, sidomos pas përfundimit të zgjedhjeve të 11 dhjetori, Vllasi ka thënë se nëse do të ishin bashkuar, pesha politike e shqiptarëve do të ishte më e madhe.
“Po të ishin më të bashkuar, shqiptarët në Maqedoni pas zgjedhjeve do të kishin peshë më të madhe në krijimin e koalicionit. Sido që të jete, partitë parlamentare shqiptare duhet të bashkojnë vota të mjaftueshme që me Lidhjen Social-Demokrate të Zaevit ta formojnë qeverinë e re të Maqedonisë.
Gjatë intervistës Vllasi ka thënë se Serbia është ajo që po rrezikon paqen në rajon”, ka thënë më tej Vllasi.
Duke folur për politikën e SHBA-së ndaj Evropës dhe rajonit tonë, pas ardhjes së Trampit në krye të SHBA-së, Vllasi ka thënë se ajo politik nuk do të ndryshojë. Sipas tij “është kundër logjikës së shëndoshë që SHBA-të të tërhiqen nga Evropa para pretendimeve ekspansioniste të Rusisë. E rajoni i Ballkanit në çdo aspekt e ndan fatin e Evropës. Nëse këtu ka jostabilitet, nëse ky rajon rrezikohet nga aspiratat hegjemoniste serbe dhe lejohet që Rusia përmes Serbisë të dominojë në këtë rajon, sipas Vllasit, do të jetë i rrezikuar stabiliteti evropian.