Partia VMRO-DPMNE viteve të fundit ka qenë e involvuar në Kosovë dhe Shqipëri, përmes institucioneve të saj diplomatike dhe me misione të caktuara që janë realizuar në të dyja vendet. Siç mëson INA nga burime qeveritare, funksionarët e lartë të Qeverisë, përfshirë edhe ministra vazhdimisht kanë qëndruar në zonat kufitare si në Dragash, Prizren dhe vendbanime tjera malore të Kosovës, ku kanë gjuajtur qytetarë të Kosovës, të komunitetit mysliman të deklarohen si maqedonas. Në këmbim të kësaj atyre u është premtuar pasaporta e Maqedonisë me të cilën do të udhëtonin lirshëm në vendet e BE-së. Po ashtu në kuadër të këtij plani, janë përkrahur me financime shoqata, grupe joformale të qytetarëve, por edhe persona të caktuar.
“Ky ka qenë një skenarë që është zbatuar çdo vit. Interesimi është shtuar para zgjedhjeve, kur këta qytetarë janë shfrytëzuar për të votuar në zgjedhjet në Maqedoni. Ata kanë votuar njëherë në përfaqësitë diplomatike të Maqedonisë, sidomos në Kosovë dhe një pjesë e tyre që punojnë në Itali dhe Zvicër. Ndërsa të njejtët persona në mënyrë të organizuar janë sjellë për të votuar edhe në Maqedoni”, thekson zyrtari i qeverisë për INA.
Plani i ngjajshëm është zbatuar edhe me Shqipërinë, ndërsa një nga personat që është përmendur edhe nga Prokuroria Speciale është kryetari i komunës së Liqenasit, tanimë të ndryshuar në komuna e Pustecit, Edmond Themelko. Ai është personi i dyshuar nga Prokuroria Speciale për parregullësi zgjedhore, gjegjësisht organizimin e shtetasve të Shqipërisë, për tu pajisur me pasaporta të Maqedonisë dhe për ti organizuar për të votuar në zgjedhjet në Maqedoni.
Depërtimi i këtij plani ka qenë në rajonin e Pustecit, Pogradec, Korçë dhe Gjirokastër, ndërsa dy viteve të fundit një zyrë ishte hapur edhe në Durrës, me emrin Shoqata Maqedonase. Në këto zyra që vepronin në mënyrë ilegale janë bërë aktiviteteve kundër Kushtetutës dhe ligjit shqiptar, pra aktivitete që rrezikojnë integritetin shtetëror të Shqipërisë.
“Po sigurisht se këto aktivitete janë antikushtetuese dhe se nuk guxon askush të ndërhyjë në një vend të huaj për të realizuar skenare të ndryshme. Shtetit shqiptar dhe ai i Kosovës ka qenë tolerant dhe nuk ka ndjekur shumë këto aktivitete, që dyshohet se ka pasur edhe lëshim të parave në të zezë dhe aktivitete tjera të paligjshme”, thekson burimi qeveritar për INA.
Shqipëria dhe Kosova deri tani nuk kanë reaguar lidhur me këto aktivitete dhe ndërhyrje të shtetit të Maqedonisë. Ndërsa nga ana tjetër, konsultat e partive shqiptare me kryeministrin Edi Rama nxitën reagime të ashpra në Shkup. (INA)