VMRO-DPMNE ndodhet para një sfide serioze se në çfarë mënyre dhe me kë ta formojë qeverinë e re, pohojnë ish kryetarët e kuvendit të Republikës së Maqedonisë Tito Petkovski dhe Stojan Andov.
Kryetari i parë i Kuvendit, thotë se BDI-ja si partneri i vetëm i VMRO-DPMNE-së tani është duke menduar të hyjë apo jo në koalicion pas-zgjedhor. Andov shton se, në rast se KSHZ i pranon ankesat e LSDM-së dhe të Lëvizjes Besa, kjo mund të ndryshonte edhe raportin e mandateve. Sipas tij, me këtë raport të numrit të deputetëve, është shumë i vështirë krijimi i një qeverie stabile, prandaj është e mundshme të shpallen zgjedhje të reja parlamentare.
“Mendoj se në rast se mbahen zgjedhje të reja, VMRO-DPMNE-ja do të ikte si djalli prej kishës. Sidomos Gruevski nuk do të dëshironte të kishte zgjedhje të reja sepse nuk do të mund t’i përsëriste këto rezultate që i ka tani, pavarësisht se për të, edhe këto rezultate janë shumë të këqija krahasuar me situatën e mëhershme. Në zgjedhjet e reja me gjasë do të pësonte disfatë të thellë. Nuk është çudi të shpalleshin zgjedhje të reja sepse krijimi i qeverisë në këto kushte, do ta bllokonte atë nga brenda. Në Kuvend vështirë se mund të arrihet ndonjë rezultat në drejtim të zgjidhjes së çështjeve reale të krizës”, u shpreh Stojan Andov, Kryetar i parë i Kuvendit.
Tito Petkovski i cili ishte kryetar i Kuvendit në periudhën ‘96-’98 konsideron se në rast se BDI pranon të formojë qeveri me VMRO-DPMNE-në, atëherë BDI do t’i ekspozohej një rreziku serioz që do të shkaktonte shpërbërjen e kësaj partie në zgjedhjet e ardhshme vendore.
“Unë besoj se mendja e shëndoshë kërkon që partitë që duan të rriten, që nuk do të donin të shkëlqenin si meteor e më pas të shuheshin, në këto zgjedhje duhet të jenë në një anë. Nëse BDI dëshiron edhe më tej të ketë rënie, atëherë le të shkojë me VMRO-DPMNE-në. Por mendoj se edhe atje do të mbizotërojë mendja e shëndoshë dhe forcat e shëndosha”, tha Tito Petkovski, ish kryetar i Kuvendit.
Sipas Andovit dhe Petkovskit, gjatë kësaj jave, dalëngadalë do të sqarohet pasqyra politike në Maqedoni, duke pritur se a do t’i pranojë Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ankesat e partive politike, gjë që mund të ketë ndryshim të raportit të mandateve ndërmjet partive./Zhurnal