Deputetët e partisë VMRO të Nikolla Gruevskit kanë uzurpuar foltoren e Kuvendit të Maqedonisë për të penguar zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit të Maqedonisë.
Të gjithë janë paraqitur për të folur dhe për të replikuar. Në listë nga Kuvendi janë 57 deputetë. Kjo e bëri të pamundur vazhdimin e seancës për zgjedhjen e kryetarit të ri të Parlamentit.
VMRO është e pakënaqur pasi ka humbur fuqinë politike pas marrëveshjes mes LSDM-së së Zoran Zaev dhe BDI-së së Ali Ahmetit, që kanë nxjerrë kandidat për kryetar të Kuvendit, Talat Xhaferin.
Deputetet e VMRO-së janë paraqitur për të replikuar edhe me njëri-tjetrin. Konferencat për shtyp të dy partive maqedonase kanë treguar se seanca mund te vazhdojë gjatë.
“Qytetarët sot janë dëshmitarë se kush e dëshiron vazhdimin e krizës dhe do një Maqedoni të robëruar. Replikat ndaj vetvetes janë thyerje të rregullave të Kuvendit”, thotë Petre Shillegov nga LSDM.
Por, kjo nuk pengon VMRO-në, pasi ata thonë se po mbrojnë interesat e shtetit.
“Shumica e deputetëve të VMRO-së kanë porositur shqiptarët se ata po gabojnë me këtë zgjidhje që kanë bërë”, deklaroi Illija Dimovski nga VMRO.
Zijadin Sela, kryetar i Aleancës për Shqiptarët ka thënë se këto janë përpjekjet e fundit të një pushteti në largim.
“Janë pretekst për të nxitur masën se gjoja cfarë po ndodh. Asgjë nuk ndodh nëse në Parlament nuk i ke 2/3 për ndryshimet kushtetuese”, thotë Zijadin Sela i Aleancës për Shqiptarët.
Lëvizja Besa është përfolur se është kundër kandidatit të BDI-së dhe dëshiron të ketë kandidatin e saj.
Besa njofton se nuk do të mbështesë një kandidaturë të tillë sepse është një propozim i imponuar për ne”, thotë Afrim Gashi nga Lëvizja Besa.
Seanca e Kuvendit vazhdon dhe vetëm në fjalimin e deputetit të parë ka patur 10 kundërpërgjigjje.
/ Top Channel