Policia ka bastisur disa apartamente në zonën e Bielefeldit në orët e hershme të së dielës, në kërkim të personave që mund të jenë të përfshirë në vrasjen e boksierit shqiptar nga Kosova, Besar Nimani, ka njoftuar “Radio Bielefeld”.
Nimani u vra të shtunën në Bielefeld rreth orës 18:00. Ai u qëllua me armë zjarri.
Në një deklaratë të përbashkët të Policisë së Bielefeldit dhe Prokurorisë së Bielefeldit, është thënë se dorasit janë ende në arrati dhe se nuk dihet nëse bëhet për një doras apo disa.
“Sipas gjetjeve aktuale, burri nga Bielefeldi ndodhej në zonën afër ‘Obernstrasse’ pranë ‘Klasingstrasse’ rreth orës 18:00. Një ose më shumë autorë i janë afruar dhe kanë qëlluar viktimën. Burri nga Bielefeldi, i cili ishte shtetas kosovar, humbi jetën në vendin e ngjarjes për shkak plagëve të mëdha që mori. Një operacion i madh policor po zhvillohet aktualisht në zonën e qytetit të Bielefeldit. Vijon kërkimi për autorin ose autorët. Hetimet nga komisioni për hetim të vrasjeve ‘Ober’, drejtohen nga kryedetektivi Alexander Scholz”, është thënë në deklaratë të përbashkët.
Ndaj Nimanit kishte pasur një sulm edhe në vitin 2013, atëbotë ishte plagosur.
“Sot në një prit në Bielefeld të Gjermanisë është vra vëllai im Besar Nimani. Ishalla Zoti na bashkon në xhenet me të. Përjetë e mot krenar me ty, shpirtin me ta marr e tradhtisht kanë mujt me të vra, por me të poshtru kurrë askush. Të dua”, shkroi të shtunën në Facebook, vëllai i Besar Nimanit, Berati.
Mitrovicasi Nimani në boksin profesionist kishte zhvilluar 27 meçe, duke i fituar 26 prej tyre e humbur një. Ai boksonte në kategorinë supervelter. Gjatë karrierës kishte fituar edhe tituj, përfshirë atë IBF International e IBF të Evropës. Dy meçe profesioniste i kishte zhvilluar edhe në Kosovë, në vitin 2012 në Pejë e në vitin 2013 në Prishtinë.
38-vjeçari meçin e fundit në profesionizëm e zhvilloi në dhjetor të vitit 2019, duke e nokautuar Adnan Ziliqin e Bosnjës në rundin e dytë.