Vritet në Gaza një nga komandantët më të lartë të Izraelit, ja kush ishte ai

Komandanti i Brigadës 401 të blinduar të Izraelit u vra në luftime në veri të Gazës të dielën, tha ushtria izraelite.

Koloneli Ehsan Daqsa, 41 vjeç, u vra kur tanku i tij dhe një tank tjetër u goditën nga eksploziv gjatë operacioneve ushtarake në kampin e refugjatëve Jabalia mdërkohë një tjetër ushtar izraelit u plagos rëndë në të njëjtin incident.

Daqsa në qershor u bë komandant i Brigadës 401 dhe është përshkruar në mediat izraelite si një nga oficerët e rangut më të lartë të vrarë që nga fillimi i luftës në Gaza më shumë se një vit më parë.

41-vjeçari vjen nga Dalijat al-Karmel, një qytet druze në distriktin Haifa të Izraelit. Ai iu bashkua Forcave të Blinduara izraelite në vitin 2001.

Në Luftën e Libanit të vitit 2006, Daqsa komandonte një forcë të blinduar të pavarur nën Brigadën e Parashutistëve.

Ushtria izraelite ka publikuar emrat e mbi 750 ushtarëve të vrarë që nga fillimi i luftës në tetor të vitit të kaluar, duke përfshirë më shumë se 350 të vrarë në operacionet tokësore në Gaza.

Që nga fillimi i luftës, mbi 42,500 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza. Më shumë se 99,000 të tjerë u plagosën gjatë asaj kohe.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu