Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha në një intervistë për Sky News se ai nuk mund ta ekstradojë në Kosovë Milana Radoiçiç, i cili, siç tha, ishte aleat i tij i ngushtë.
“Nuk mund ta ekstradoj Milan Radoiçiçin në Prishtinë, sepse ne nuk e njohim Kosovën. Ai ishte aleat i ngushtë i imi, por jo mik”, tha Vuçiç në një intervistë për Sky News.
I pyetur për pretendimet e Prishtinës, se Beogradi i ka planifikuar ngjarjet në Banjska dhe i ka ofruar armë një grupi serbësh, si dhe për fotografitë e policisë së Kosovës, të cilat tregojnë se shumica e armëve të konfiskuara janë prodhuar në Serbi, presidenti serb thotë se është gjithmonë më e lehtë të akuzosh Beogradin.
“Kush do të besojë se në fakt është diçka ndryshe, pothuajse askush”, tha Vuçiç.
Ai ka përsëritur se edhe pjesëtarët e policisë së Kosovës përdorin armë të prodhuara në Serbi, por se Serbia nuk ua ka shitur atyre.
“Ata djem që i ndiqnin serbët dhe që janë nga Policia e Kosovës, mbanin një AK të prodhuar këtu në Kragujevc”, tha Vuçiç.
Presidenti serb është i bindur se është e lehtë të gjesh armë dhe jo vetëm në tregun e zi.
I pyetur nëse Radoiçiç ka qenë aleati i tij i ngushtë, Vuçiç është përgjigjur pozitivisht: “Nuk ka dyshim, ai ka qenë nënkryetar i Listës Serbe”.
Megjithatë, ai nuk mund të thotë se ishte shoku i tij.