Vuçiq thotë se bisedoi me Putinin pas “gati dy vjetësh e gjysmë”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të dielën se ka biseduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe se e ka falënderuar atë “që më siguroi se Rusia do t’i japë mjaftueshëm gaz Serbisë këtë dimër”.

Serbinë e zuri pushtimi rus i Ukrainës të varur plotësisht nga gazi rus.

Ndërkohë, duke ndjekur shembullin e shumë vendeve të Bashkimit Evropian (BE), edhe Serbia ka filluar të punojë në gjetjen e burimeve të tjera të furnizimit me gaz.

Megjithatë, pavarësisht thirrjeve nga BE-ja, klubi të cilit synon t’i bashkohet, Serbia nuk po pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë dhe përfaqësuesit e autoriteteve në Beograd vazhdojnë të mbajnë lidhje me Kremlinin.

Vuçiq njoftoi në profilin e tij në Instagram të dielën se nuk kishte biseduar me Putinin për gati dy vjet e gjysmë dhe se më 20 tetor kanë pasur një “bisedë të mirë, të hapur, të gjatë dhe kuptimplotë”.

Shpreha shpresën, ashtu si dy vjet e gjysmë më parë, se Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse”, tha Vuçiq.

Ai tha në një video në Instagram se me Putinin bisedoi edhe për çështje dypalëshe, ekonomike dhe politike.

Rusia është mbështetja më e madhe e Serbisë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, të cilën Prishtina e shpalli më 2008.

Shkak i bisedës ishte përkujtimi i 80-vjetorit të çlirimit të Beogradit.

Më 20 tetor 1944, partizanët jugosllavë dhe Ushtria e Kuqe Sovjetike çliruan Beogradin nga pushtimi gjerman në Luftën e Dytë Botërore. Prej atëherë, kjo datë festohet si Dita e Çlirimit të Beogradit.


>

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu