“Edhe një herë u gjendëm në listën botërore të të pandehurve…Ajo që ndodhi në Kosovë është një goditje ndaj Serbisë. Serbët e vrarë janë edhe terroristë edhe dëshmorë të atyre që i shtynë në këtë…Kam frikë se e gjithë kjo mund të përhapet në Bosnje”, tha Vuk Drashkoviç, president i Lëvizjes Serbe për Rindërtim, në një intervistë televizive.
Lidhur me ngjarjet e fundit në veri të Kosovës, Drashkoviç theksoi se Milan Radoiçiç joshi të rinjtë që janë viktima të një propagande të tmerrshme që, thotë ai, është bërë që nga viti 2000, e sidomos nga viti 2014, kur Serbia filloi të preket nga Putinofilia.
“Shkalla e kësaj putinofilie, pasionit pas krimit, është aq e madhe sa që sot në Serbi, përqindja e atyre që mbështesin këtë armagedon mbi Ukrainën është më e lartë se në Rusi. Gënjeshtta të vazhdueshme sistematike politike po lëshohen, të tilla se Milloshevici fitoi në 1999, se NATO është e bombardoi Serbinë pa asnjë arsye, se Kosova është në Serbi, pjesë përbërëse e Serbisë sipas rezolutës 1244”, tha ai.
I pyetur nëse ka pasur ndonjë akt terrorist në veri të Kosovës, ai thekson se e gjithë bota e qytetëruar thotë se ka qenë.
“Nëse ke një formacion të armatosur, me uniforma me armë të rënda, për të pushtuar territorin e një shteti tjetër, edhe nëse nuk gjuan, ai tashmë është në prag të terrorizmit. Kështu e sheh bota e qytetëruar, ajo perëndimore”.
Ai vlerësoi se ajo që ndodhi në Kosovë ishte “gatuar në Serbi”.
“Një akt që është drejtpërdrejt kundër popullit tonë në Kosovë dhe kundër Serbisë, pasi përsëri u gjendëm në një lloj liste botërore të të pandehurve në momentin kur thamë se kryesisht kishim vendosur të shkonim në perëndim, se BE-ja ishte synimi ynë”.
Ai beson se tensionet nga Kosova mund të kalojnë në Bosnje.
“Kam frikë se tani kjo atmosferë rreth gjithë kësaj mund të përhapet në Bosnje. Por më ngushëllon fakti se çdo plumb i parë i qëlluar në territorin e Bosnjes, sipas Marrëveshjes së Dejtonit, do të shkaktonte mbërritjen e 20 mijë ushtarëve të NATO-s dhe do të përfundonte shpejt. Pastaj do të kishte një marrëveshje të re paqeje”, tha Drashkoviç, ish-president i Serbisë pas Millosheviçit dhe para Gjinçiçit.