Nënkryetari i Këshillit Atlantik të SHBA-së porosit Moskën
Nënkryetari i Këshillit Atlantik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Damon Wilson, vlerësoi se të dhënat që kanë dal nga hetimet për përpjekjet për të ndërmarrë sulme terroriste në Mal të Zi, në ditën kur u zhvilluan zgjedhjet në këtë vend, janë tejet brengosëse.
Siç ka thënë ai, të dhënat flasin për një ndikim të fuqishëm dhe të dyshimtë të Rusisë në Mal të Zi.
Wilson ka thënë se Moska duhet ta kuptojë se loja ka përfunduar, se ajo nuk mund të sillet në një mënyrë të tillë ndaj një aleati të NATO-s, pasi që Mali i zi është duke u bërë pjesë e aleancës dhe veprimet e Moskës i cilësoi si një intervenim indirekt në një shtet sovran, shkruan rtv21.tv.
Wilson para disa ditësh vizitoi Podgoricën, ku u takua me zyrtarët më të lartë malazez. Në intervistën dhënë gazetës Pobjeda, duke komentuar përpjekjet për të ndërmarrë sulme terroriste, Wilson ka thënë se ekziston problemi i luftëtarëve të huaj, të cilët kanë luftuar në Ukrainë dhe të cilët kanë shkuar në Mal të Zi.
Siç dihet, prokuroria në Podgoricë ka theksuar se 19 persona kanë tentuar të ndërmarrin sulme terroriste në ditën e zgjedhjeve në Mal të Zi, më 16 tetor dhe në mesin e tyre janë dy shtetas rusë, Eduard Shirkov dhe Vladimir Popov, ish-shefi i xhandarmerisë së Serbisë, Bratisllav Dikiq, si dhe shtetasi serb, Aleksander Sigjelliq, për të cilin supozohet se ka luftuar në radhët e forcave pro-ruse në Ukrainë./21Media