Kryetari i ri i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi ka sqaruar për mediat serbe dhe maqedonase pse flamuri shqiptar gjendet në zyrën e tij.
Ai këtë sqarim e ka bërë nga Brukseli, ku kishte takuar komisionarin Johannes Hanh.
Ky sqarim ka bërë që Xhaferi sërish të gjendet në ballinat e mediave kryesore në Serbi, shkruan lajmi.net.
“Mendoj se askush nuk duhet të ndjehet i kërcënuar nga flamuri, sepse ai është simbol i joni, i përkatësisë sonë, dhe në aspekt institucional mendoj se flamuri gjendet në vendin e duhur ku edhe i takon të jetë ngaqë të gjithë ne identifikohemi me atë gjatë bartjes së funksionit të caktuar”, kështu është shprehur kryetari i ri i Kuvendit, Talat Xhaferi për Tanjug.
Ai ka shtuar se i kupton të gjitha reagimet, por pas ndodhive të 27 prillit (kur u sulmua Kuvendi i Maqedonisë, deputetë e gazetarë) konsideron se të gjithë duhet të kuptojmë se “as flamuri e as programet politike të partive shqiptare nuk janë ata të cilat ndikojnë në jetën politike në Maqedoni, sepse janë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe ligjet dhe se nuk cenojnë asgjë”.
Xhaferi është pyetur edhe për qeverinë e re, duke thënë se është i detyruar ta pres 10 ditë presidentin për t’ia dhënë mandatin shumicës së krijuar në Kuvend. /Lajmi.net/