Xhamia e Ballies në Elbasan merr çmimin për arkitekturën më bukur fetare në botë

Xhamia e Ballies në Elbasan ka marrë çmimin e parë për “Arkitekturën më të bukur fetare në botë” në garën ndërkombëtare “Building of the Year 2025” të organizuar nga “ArchDaily”, platforma më e madhe globale për arkitekturë dhe dizajn.

Vlerësimi ka ardhur pas shpalljes finaliste para disa ditësh, ndërsa lajmin e ka bërë të ditur Komuniteti Mysliman.

Sipas Komunitetit Mysliman, ky çmim i rëndësishëm konfirmon vlerat unike të kësaj xhamie, e cila ndërthur arkitekturën tradicionale islame me elementet moderne, duke krijuar një hapësirë frymëzuese për besimtarët dhe një vepër arti arkitekturore të jashtëzakonshme.

Sipas përshkrimit të projektit, përdorimi i materialeve autentike si guri, druri dhe bakri, ndriçimi natyror dhe detajet simbolike e bëjnë këtë objekt kulti një model inovativ dhe një vlerë të çmuar për trashëgiminë fetare dhe kulturore shqiptare.

“Përzgjedhja dhe fitorja e Xhamisë së Ballies në këtë garë prestigjioze është një ngjarje e jashtëzakonshme jo vetëm për komunitetin mysliman, por për të gjithë Shqipërinë. Si i vetmi objekt kulti në Evropë që ka fituar këtë çmim, xhamia tashmë është vendosur në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke dëshmuar se trashëgimia dhe arkitektura shqiptare kanë një vend të rëndësishëm në skenën globale”, ka shkruar Komuniteti Mysliman.

“Një falënderim i veçantë shkon për arkitektin Jurtin Hajro dhe ‘Commonsense Studio’ për vizionin dhe punën e tyre të përkushtuar në realizimin e kësaj vepre madhështore. Po ashtu, mirënjohje për Ambasadën e Kuvajtit dhe të gjithë ata të cilët mbështetën me bujari ndërtimin e kësaj xhamie dhe që luajtën një rol të rëndësishëm në realizimin dhe finalizimin e këtij projekti monumental”, ka shkruar Komuniteti Mysliman në njoftim.

Xhamia e Ballies ishte ndërtuar nga Hasan Balliu në vitin 1608 në qendër të qytetit të Elbasanit. Regjimi komunist më 1967 urdhëroi prishjen e saj. Në vitin 2022 Xhamia e Ballies u ringrit në të njëjtat themele, por shumë më madhështore se e vjetra. Projekti është realizuar nga “Commonsense Studio” dhe elementi më tërheqës i xhamisë është minarja që konkurronte të gjitha të tjerat me modelimin dekorativ origjinal të saj.

Koha është një koncept shumë i rëndësishëm në besimin islam dhe kjo ka qenë një nga pikat tona thelbësore në zhvillimin e të gjithë konceptit. Kemi dashur të interpretojmë kohën nëpërmjet disa elementeve të saj si drita që hyn në hapësirën e faljes, si tregues i kalimit të kohës dhe një ftesë për të kuptuar veten në raport me kohën”, kishte thënë arkitekti Jurtij Hajro. Sipas tij, dimensionin e kohës kanë synuar ta tregojnë edhe në materialet që formësojnë xhaminë.

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj ka uruar për këtë çmim. “Urime për Xhaminë e Ballies – Fituesja e Çmimit Ndërkombëtar për Arkitekturën më të Bukur në botë, në konkursin ndërkombëtar ‘Building of the Year 2025’”, ka shkruar ai. Ky vlerësim konsiderohet si një arritje e jashtëzakonshme për arkitekturën shqiptare dhe veçanërisht për arkitekturën fetare në Shqipëri. Çmim prestigjioz e bën Xhaminë e Ballies një destinacion të rëndësishëm për studiuesit, arkitektët dhe turistët nga e gjithë bota, duke dëshmuar vlerën e trashëgimisë kulturore shqiptare në nivel global. Xhamia ka një sipërfaqe rreth 1900 metra katrorë dhe përbëhet nga katër kate, në të cilat përveç vendit të faljes përfshihen edhe sallat e konferencave dhe zyrat e stafit të Myftinisë Elbasan


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu