Ylberi me shtëpi-muze në Nju Jork

Edhe pse një numër i madh i dibranëve jetojnë në mërgim, me aktivitetet e tyre në kontinuitet tregojnë se vazhdojnë ta duan vendlindjen dhe kombin, të cilit i takojnë. Nëse analizohen aktivitetet e tyre në mërgim, atëherë mund të thuhet se ata janë patriotët dhe nacionalistët e mëdhenj të kombit. Nuk ka shtëpi të mërgimtarëve dibranë në SHBA ku nuk ka flamur kombëtar, apo zbukurime në të cilët dominojnë elementet dhe fotografitë e personaliteteve kombëtar, siç janë Skënderbeu, Nëna Terezë, Fan Noli, Ismail Qemali etj. Atdhetari i mirënjohur dibran, Ylber Pilku, i cili para disa dekadave ka migruar me familjen e tij në Amerikë, sot jeton në Nju Jork dhe është një biznesmen i dalluar. Ai në Amerikë ka ardhur në janar të vitit 1988. Dy-tri vitet e para, ai i kaloi me vuajtjet dhe vështirësitë e fillimit. Ai ka punuar pa u lodhur në ndërtim. Pas tri vitesh Ylberi nisi biznesin e vet, po në fushën e ndërtimit. Sot ka një kompani ndërtimi, që është e specializuar për skelat e të gjitha madhësive dhe për të gjithë lartësitë. Madje, për shumë kohë qe dhe firmë lider në SHBA. Aktualisht, aktivitetin e tij ndërtues në SHBA e zhvillon në Kenerik, Nju Jork dhe në Nju Xhersi. Ka dhënë kontribut edhe për punësimin e bashkëvendësve të tij. Të panumërt janë ata dibranë, që kanë ardhur në SHBA dhe që Ylber Pilku i ka ndihmuar që të sistemohen në punë dhe të kalojnë vështirësitë e fillimit, që në shumë raste dhe pothuajse për të gjithë nuk janë të vogla. Ylberi, përveç suksesit në biznes, ka një shpirt të gjerë human. Sponsorizimet e tij për libra, për festa, për së- mundje, raste vdekjesh etj. janë të shumta. Kështu ka fituar respektin e shumë njerëzve për shpirtin e tij human, për gatishmërinë e tij që t’i ndihmojë të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmë e mbështetje. Shtëpia e tij në Nju Jork është kthyer në një muze të vërtetë. Skulptura dhe piktura të personaliteteve historike shqiptare, duke filluar nga Skënderbeu, janë në shtëpinë e Ylber Pilkut. Në një dhomë të posaçme muze qëndrojnë skulpturat dhe veprat e tjera të figurave kombëtare, përfshirë edhe shumë libra historie dhe vepra të tjera të shkrimtarëve dhe historianëve të mirënjohur. Në këtë dhomë muze, ai ka pritur shumë mërgimtarë dhe personalitete të mëdhenj shqiptarë dhe amerikanë që e duan shqiptarinë. Është një numër i madh i skulpturave, fotografive dhe sendeve me vlera kombëtare dhe në to prezantohet Dibra, patriotët dibranë dhe vendet historike shqiptare. Është kënaqësi të jesh në këtë shtëpi muze, thonë ata që e kanë vizituar. Zyra e tij është si një muze i vërtetë i historisë së kombit shqiptar. Në zyrë ai mban një pllakat të madh me fotografitë e të gjithë patriotëve dhe të burrave të shtetit shqiptar, bustin e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu,të Lekë Dukagjinit, të Nënë Terezës, të Adem Jasharit, fotografi të Sali Berishës, Bujar Nishanit, Ymer Kelmendit, avokatit Avni Spahiut, Piter Fejtit, senatorit Eliot Engëll, Xhejms Vakës, ambasadorit Filip Riker, të avokatit Bill Eduars etj. Ka, gjithashtu, plot relikte shpatash, revolesh e shumë gjera të tjera të vjetra e me përmbajtje historike. Do të harxhoj akoma për ta shtuar numrin e fotografive dhe skulpturave në këtë muze shtëpi që kam këtu në SHBA, thekson Ylber Pilku. Ylberi është i njohur jo vetëm në mesin e dibraneve, por edhe në mesin e shqiptarëve në SHBA për veprat e tij patriotike. Nuk ka aktivitet atdhetar, patriotik e kulturor që zhvillohet nga shqiptarët dhe dibranët me banim në State Island, Nju Jork, Nju Xhersi, Boston, Bruklin e kudo në SHBA, ku Ylberi të mos dallohet ndër gjithë të tjerët. Ylber Pilku është i kudondodhur dhe ndër më të gatshmit për të kontribuuar dhe financiarisht, për të kontribuar dhe në organizimin e aktiviteteve të shumta që zhvillon ky komunitet shqiptar, i dalluar për ndjesi e veprimtari kombëtar e kulturore. Ylber Pilku është ndër organizatorët dhe kontribuuesit e aktivitetit të përvitshëm të ngritjes simbolike të flamurit shqiptar në mes të Nju Jorkut, në Manhatan dhe të veprimtarive të tjera kulturore e përkujtimore historike. Ylberi është organizator e kontribuues i të gjithë protestave në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve kudo në botë, kurdoherë në ballë të protestave dhe para selisë së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork. Ylberi është kurdoherë në mesin e veprimtarive politike që zhvillohen ne Amerikë me dibranët dhe me shqiptarët. Kudo Ylberi është i pranishëm dhe gjithnjë kontribuues kryesor. Nuk kishte si të ndodhte ndryshme me këtë dibran të madh, sepse ai jo vetëm është pasardhës i një dere me emër si ajo e Pilkëve, por është dhe nip i fisit më të shquar dibran, i Qokut të Iljaz Pashës e të Xhemal Pashës në Kllobçisht të Maqellarës, pasardhëse e fisit më të vjetër e më me zë të Gropave e të gjeneralit famëmadh të Skënderbeut, Zaharija Gropa. Ylberi me familjen e tij, shpesh viziton vendlindjen e tij. Edhe në Dibër ku ka edhe shtëpinë e tij gjithmonë është i gatshëm të ndihmojë aktivitete kombëtare, por të bëjë edhe aktivitete humane. Ai thekson se është i kënaqur nga puna e tij në SHBA, por shton se do të vazhdojë të kontribuojë për popullin dhe vendlindjen e tij.. (Koha)

muze-pilku88-300x225

muze-pilku77-300x225

muze-pilku55-300x225

muze-pilku44-300x225

muze-pilku33

muze-pilku.png22-300x225

muze-pilku


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu