Faqet e llojit të “YouTube”, sipas planeve për reformimin e ligjeve e të së drejtës autoriale në Evropë, do të detyrohen t’i paguajnë më shumë muzikantët dhe kompanitë e incizimeve, transmeton sot “Koha Ditore” një shkrim të BBC-së.
Draft-direktiva po ashtu u kërkon botuesve dhe producentëve t’i njoftojnë performuesit apo autorët se çfarë përfitimesh kanë gjeneruar veprat e tyre. Industria muzikore prej kohësh e ka kritikuar “YouTuben” që nuk ka paguar mjaftueshëm për përmbajtjen muzikore. Botuesit e lajmeve po ashtu do të njihen si posedues të të drejtave parësore.
Nën këto direktiva, portalet siç është “Google News” do të detyrohen t’u paguajnë botuesve të gazetave një pagesë kur të shfrytëzojnë paragrafë të shkurtër apo pjesë të rrëfimeve të lajmeve.
Carlo Perrone, kryesues i Asociacionit të Botuesve Evropianë të Gazetave, ka thënë se të drejtat autoriale për botuesit e lajmeve në Evropa janë “hap i rëndësishëm dhe historik”.
“Dëshiroj që gazetarët, botuesit dhe autorët të paguhen në mënyrë të duhur për punën e tyre, pavarësisht se a bëhet në studio apo dhoma, pavarësisht a transmetohet offline apo online, a botohet nëpërmjet një makine apo linqeve të një uebi”, ka thënë Jean-Claude Juncker, president i Komisionit Evropian. Ky komision nuk ka dhënë detaje lidhur me atë sesi do të detyrohen faqet si “YouTube” për t’i paguar më shumë artistët. Planet janë po ashtu që të kërkohet qasje më e lehtë në përmbajtjen online përgjatë gjithë shteteve të Bashkimit Evropian dhe të reformohen rregullat e pronësisë intelektuale për hulumtime dhe edukim.
Andrus Ansip, zëvendëspresident i tregut digjital, ka thënë se qëllimi është që sa më shumë përmbajtje të jetë në dispozicion duke e transformuar legjislaturën evropiane të së drejtës evropiane në “dritë të një realiteti të ri digjital”. Për miratim, propozimet duhet të shkojnë nëpërmjet Parlamentit Evropian dhe shteteve të BE-së, gjë që mund të zgjasë me vite të tëra.
Më shumë se një mijë artistë, përfshirë edhe Lady Gagan dhe grupin “Coldplay”, në fillim të vitit kishin nënshkruar një letër që i bënte thirrje Komisionit Evropian që të merrte hapa në adresë të “boshllëkut e vlerave”. Aty thuhej se faqet si “YouTube” ishin të padrejta në mënyrën e vlerësimit të komunitetit muzikor dhe artistëve e kantatuorëve.
“YouTube” që përmban video sikurse edhe materiale me përmbajtje vetëm audio, merr para duke shitur reklama dhe më pastaj i ndan përfitimet midis pronarëve të të drejtave. Modeli i saj i biznesit dallon nga ueb faqet e muzikës si “Spotify” dhe “Apple Music”, të cilat ua paguajnë kompanive një shumë të vogël sa herë që një këngë lëshohet në to.
Geoff Taylor, që përfaqëson një biznes muzikor të incizimeve në Britani, ka thënë se është e padrejtë që platforma si “YouTube” janë duke “ndërtuar biznese të mëdha duke shfrytëzuar muzikën dhe përmbajtje të tjera derisa artistëve u paguajnë vetëm një pjesë të vogël në krahasim me atë që ofrojnë Spotify dhe Apple Music”.
“PRS for Music”, që përfaqëson të drejtat e mbi 120 mijë kantautorëve, kompozitorëve dhe publikuesve të muzikës në Britani të Madhe, ka thënë se e mirëpret këtë vendim për t’u siguruar që faqet si “YouTube” të kërkojnë licencë nga poseduesit e të drejtave intelektuale.
“Propozimet e reja të Komisionit Evropian lidhur me të drejtën autoriale sigurojnë një kornizë për këtë qartësim esencial ligjor”, ka thënë Robert Ashcroft nga kjo kompani.