Zaev, “bombarduesi” i cili po largohet pas disfatës në zgjedhjet lokale

“Unë e dorëzova premtimin tim para socialdemokratëve të mi. Në vete mbaj frymë fitimtare. Që sot jam i obliguar që të realizoj premtimin tim. Shpresoj se me gjithë aktivitetet tona do të rrënojmë regjimin e Nikolla Gruevskit me çka para se gjithash do ta kthejmë vëmendjen kah politikat tona që mund tua ofrojmë qytetarëve të RM”, tha Zoran Zaev, lider i LSDM-së.

Kjo është deklarata e parë e trashëgimtarit të Branko Cërvenkovskit në Bihaçka. Në të njëjtën kohë Zaev kryente edhe funksionin e kryetarit të Strumicës, kështu që mori vëmendjen e opinionit.

“Shpresoj se pikërisht në këtë pamje luftarake të kryetarit të LSDM dhe kryetarit të Strumicës paralajmëroj betejë të drejtë dhe luftarake politike në skenën tonë politike që do të zhvillohet muajt e ardhshëm”, pati deklaruar Zaev më datë 01.03.2014.

Branko Cërvenkovski u largua nga LSDM pas zhgënjimit dhe sjelljes së bashkëpunëtorëve të tij më të afërt të cilët nuk kanë besuar në vendimet e tij. Sipas brifingjeve të atëhershme partiake, Cërvenkovski e ka ditur se në zgjedhjet lokale do të përjetojë dështim, për shkak se pushteti i atëhershëm nuk ka mundur të mposhtet me ide dhe programe.

Zoran Zaev nga ana tjetër po e pret rekonstruimi i freskët i Qeverisë së tretë të udhëhequr nga VMRO-DPMNE dhe Nikolla Gruevski, ndërsa në atë kohë BDI ishte partner i tyre i koalicionit. Kështu, Zaev vizitoi edhe Ali Ahmetin.

“U pajtuam se sot pa hamendje duam të dërgojmë porosi pozitive të raporteve të mira ndëretnike dhe njerëzore para së gjithash. Dhe shpresoj se do të dërgohet kjo porosi nga takimi i sotëm”, pati deklaruar Zaev më datë 05.08.2013.

Nuk kishte shumë kohë. 10 muaj pas zgjedhjes së tij si lider i LSDM, Zaev u përball me zgjedhjet e para parlamentare, të cilat u mbajtën më 27 prill të vitit 2014. VMRO-DPMNE fitoi 43% të votave, LSDM 25%, BDI 14% e PDSH 6%.

“Kur ende nuk ka filluar numërimi i votave, dal para jush që të kumtoj qëndrimin tonë. LSDM dhe opozita e bashkuar nuk e pranojnë procesin zgjedhor, e as zgjedhjet parlamentare, e as zgjedhjen presidenciale”
, pati deklaruar Zaev më datë 24.04.2014.

Partinë e ka udhëhequr së bashku me Radmilla Shekerinskën. Në vitin 2015 fitoi mbështetjen për fillimin e projektit “E vërteta për Maqedoninë”.

“Nga sot LSDM dhe opozita e fillojnë projektin “E vërteta për Maqedoninë”. Qëllimi është që ta kthejmë lirinë dhe demokracinë në RM, të kthejmë vlerat evropiane. Ky portofol do të bëhet simboli i procesit që sot e fillojmë për kthimin e lirisë dhe demokracisë”, pati deklaruar Zaev më datë 09.02.2015.

Me “bombën” e parë Zoran Zaev tregoi se DSK është shndërruar në përbindësh përgjues, në shënjestër të së cilës kanë qenë mbi 20 mijë qytetarë. Pas kësaj, Zaev fitoi epitete nga rivalët politik se është tradhtar nacional e zbulues i sekreteve shtetërore. Porosia ishte se ai patjetër duhet të arrestohet.

“Sot është parashtruar padi penale për disa persona, mes tyre edhe Z.Z. për veprën e kryer penale spiunim dhe dhunë ndaj përfaqësueseve të lartë të organeve shtetërore”
, tha ish kryeministri Nikolla Gruevski.

MPB e arrestoi Zoran Verushevski, ish drejtorin e DSK, për posedimin e armëve jo-legale dhe pornografi të fëmijëve. Maqedonia hyri në krizë politike.

Filloi përballja brutale me ata që nuk mendonin njëjtë, u dakorduan arrestime, provizione dhe zhvatje. Kërkohej dorëheqja nga Qeveria e atëhershme, formimi i Qeverisë teknike dhe zgjedhje të parakohshme. E gjithë kjo përmes protestave nëpër rrugët e Shkupit dhe qyteteve të tjera.

Kriza përfundoi përmes negociatave me ndërmjetësimin e ndërkombëve dhe arritjes së Marrëveshjes së Përzhinos, pas çka Maqedonia mbajti zgjedhje në vitin 2016, ndërsa të ashtuquajturat “bomba” përfunduan në Prokurorinë Speciale Publike, në krye me Katica Janevën.

VMRO-DPMNE fitoi 38% të votave, LSDM 17%, BDI 7%. Gruevski edhe pse fitoi në zgjedhje nuk arriti të formojë Qeveri, kështu që mandati kaloi në duart e Zoran Zaevit i cili mori ndihmën e BDI, Besës dhe Koalicionit Aleanca për Shqiptarët. Talat Xhaferi u zgjodh për kryeparlamentar, ndërsa mbi 300 protestues me dhunë hynë në shtëpinë ligjvënëse.

Presidenti i atëhershëm, Gjorgje Ivanov, kërkoi edhe garanci në formë të shkruar nga mandatari për ruajtjen e unitetit të shtetit. Pas 171 ditëve rekorde nga përfundimi i zgjedhjeve, Maqedonia u bë me Qeveri të re.

Kryeministri Gruevski arriti të arratiset nga drejtësia, duke kërkuar azil politik në Hungari. Në vitin 2017 u organizuan zgjedhjet lokale ku fitoi LSDM, e më pas u organizua edhe referendum me të cilin u ndryshua emri i shtetit. Me emrin e ri RMV siguruam vend në NATO, ndërsa e zgjidhëm edhe kontestin që zgjati disa dekada me Greqinë.

“Se në tetor, do të jetë tetori. Edhe atje qëndron, “no later than October”, jo më vonë se në tetor. E kemi marrë garancinë juridike formale në formë të shkruar.

TV21: Kishit një deklaratë para disa muajve se nuk do të marrim datë, keni marrë garanci në formë të shkruar, më intereson nga kush janë ato garanci dhe a do t’i aktivizoni tani?

-Unë kam deklaruar se ka garanci në formë të shkruar? Nëse kam folur për diçka në formë të shkruar, ajo është vendosur në Marrëveshjen e Prespës, ku ka kapituj, por Evropa është e përfshirë për shkak se ajo merrte pjesë me ne”
, pati deklaruar Zaev më datë 20.10.2019.

Në vitin 2019, Stevo Pendarovski, i mbështetur nga LSDM u bë president i shtetit. Prokuroria Speciale u rrënua, ndërsa shpresa më e madhe – Katica Janeva përfundoi në burg. Mbetën disa lëndë gjyqësore aktive të iniciuara nga bisedat e përgjuara.

Problemi i ri në rrugën drejt BE vinte nga fqinji lindor, Bullgaria. Botën e kaploi pandemia e Kovid-19, por u arrit konsensus se duhet të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare. Qeverinë e re përsëri e formoi Zoran Zaev, por nuk morëm datë për BE. Pandemia vazhdon të jetë problem shtesë.

Tragjedia e madhe në Tetovë dhe mos fillimi i negociatave me BE, zgjedhjet lokale që u mbajtën këtë vit, e dënuan Zoran Zaevin, andaj ai solli vendim për t’u tërhequr.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu