Kryeministri Zoran Zaev së bashku me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor sonte në Bruksel do të marrë pjesë në takimin joformal me ftesë të përfaqësueses së lartë të BE-së Federika Mogerini.
Në takimin e tretë joformal të kryeministrave me Mogerinin do të bisedohet për ngjarjet aktuale në rajon dhe për perspektivat për vitin 2018, kur partnerëve evropianë në rajon do t’u ofrohet mundësi e vetme që të avancojnë në rrugën e integrimit në Union.
“Bashkimi Evropian është i përkushtuar në përforcimin e angazhimit drejt vendeve të rajonit me qëllim që të sigurojë që gjashtë shtetet nga Ballkani Perëndimor t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm që avancimi i tyre drejt Unionit të bëhet i pakthyeshëm”, thuhet në kumtesën e BE-së.
Ky takim joformal paraqet vazhdim të bisedimeve të përfaqësueses së lartë Mogerini me liderët ballkanik nga maji i këtij viti, kur ajo, gjithashtu, i mblodhi në darkë pune joformale.
Pritet që gjatë darkës së punës të hënën të bisedohet për strategjinë, të cilën Komisioni Evropian e përgatit për në shkurt, ndërsa e cila duhet t’i japë drejtimet për inkuadrim të Serbisë dhe Malit të Zi në BE deri në vitin 2025, si dhe për hapat e ardhshëm që në rrugën drejt BE-së i presin Shqipërinë, Maqedoninë, BeH-në dhe Kosovën.
Para darkës së punës pritet që kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor të mbajnë takime bilaterale.