Zbardhen kostot, makinat para vitit 2000, sa do paguajnë për të shpëtuar

Drejtuesit e makinave të prodhuara para vitit 2000, brenda 1 korrikut të 2017­s duhet të plotësojnë standardin “euro 3” të shkarkimit të gazrave, pasi qeveria ka në plan të nxjerrë nga qarkullimi makinat e vjetra që ndotin ajrin.
Përgjegjësinë për plotësimin e standardit “euro 3” e mban pronari i makinës, në këtë rast kostoja do të paguhet prej tij. “PANORAMA” zbardh tarifat që duhet të paguajë një qytetar për instalimin e katalizatorëve dhe marmitës katalitike.

Sipas specialistëve, kostoja për çdo makinë të vjetër varion nga 17 mijë lekë deri në 150 mijë lekë. Kjo është kostoja që duhet të paguajë një qytetar që disponon një makinë të vjetër, qoftë me benzinë apo naftë, në rast se dëshiron ta mbajë atë ende në qarkullim, pas korrikut të 2017­s. Detyrimi i marrjes së masave për përshtatjen e makinave me vit prodhimi para 2000­it me standardin “euro 3” përcaktohet në projektvendimin e Ministrisë së Mjedisit. Drafti vendos limitet e shkarkimit të gazrave për makinat e vjetra, sipas standardit “euro” me qëllim që të ulet niveli i ndotjes në ajër.

Për këtë shkak, nëse një qytetar disponon një makinë, qoftë me benzinë apo me naftë, që i përket standardit “euro 1” dhe “euro 2”, duhet të marrë masa për instalimin e katalizatorëve apo filtrave që makina e tij të përshtatet me standardin “euro 3” që kerkohet.

SA DO TË PAGUAJMË

Sipas specialistëve, instalimi i një katalizatori që redukton nivelin e shkarkimet të ndotësve të gaztë kushton nga 17 mijë lekë deri në 50 mijë lekë. Në rast se makina është shumë e vjetër dhe do të kërkohet instalimi i marmitës katalitike, tarifa për instalim kushton 150 mijë lekë.
Nëse një qytetar disponon një makinë që i përket standardit “euro 1” (viti i prodhimit 1 janar 1992 deri më 31 dhjetor 1995), apo një makinë që kategorizohet në standardin “euro 2” (viti i prodhimit 1 janar 1996 deri më 31 dhjetor 1999), ka afat deri në korrik të 2017­s të instalojë katalizatorët për ta përshtatur atë me standardin “euro 3” që kërkohet. Në rast të kundërt, nëse brenda muajit korrik pronari i makinës nuk e përshtat mjetin me standardin që do të kërkohet nga qeveria, makina nuk do të kalojë testin e shkarkimit të gazrave në kolaudim. Pas kësaj, makina do të ndalohet të qarkullojë, pra do të bëhet çregjistrimi.

Penalizimi përcaktohet në draftin e qeverisë. “Ngarkohen institucionet e kontrollit teknik të mjeteve motorike të mos lejojnë përdorimin e mjeteve ekzistuese në qarkullim, të cilat pas datës 1 korrik 2017 nuk kanë plotësuar kushtet e përcaktuara në vendim”, thuhet në relacion.
Ministria e Mjedisit argumenton në relacion se projektvendimi është në përputhje me angazhimet dhe objektivat e qeverisë për uljen nivelit të ndotësve të gaztë që shkarkohen në ajër. Rreth 48 për qind deri në 60 për qind të ndotjes së ajrit në vend vjen nga qarkullimi i makinave, sipas Ministrisë së Mjedisit. /panorama


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu