Zbardhet dëshmia e grabitësit të kazinove: Kam lënë shumë para, doja të hakmerresha

“Kam lënë të gjitha paratë në kazino, gjithë jetën time. Ndaj vendosa të grabis dy nga këto kazino, ku ka humbur mjaft para. Doja t’i grabisja vetëm për hakmarrje”.

Ky është pohimi i Ilir Lelos, 46- vjeçarit të arrestuar nga policia e Tiranës mbrëmjen e 30 dhjetorit të vitit të shkuar, pasi kishte grabitur një kazino pranë Zogut të Zi, ndërsa më pas tentoi të grabiste një tjetër në rrugën “Mine Peza”, pranë Prokurorisë së Tiranës.

Gjatë deklarimit të tij, 46 vjeçari, i papunë ka pohuar se kohet e fundit kishte humbur shumë para në disa prej kazinove të Tiranës.

Për këtë shkak ai kishte vendosur të grabiste ndonjërën prej tyre dhe të merrte prej tyre paratë që kishte humbur. Rrëfimi i Lelos, por edhe fakti se ai nuk kishte qenë ndonjëherë i skeduar apo i njohur nga policia për tendenca kriminale, kanë konfirmuar se 46- vjecari ka kryer një veprim të tillë për hakmarrje. Kjo ka bërë që policia të hedhë poshtë paraprakisht përfshirjen e mundshme të tij në grabitjen e kazinosë në rrugën e Elbasanit me 11 dhjetor të vitit 2016. Lelo, u arrestua nga policia e Tiranës, mbrëmjen e 30 dhjetorit në rrugën “Mine Peza”, ndërsa po tentonte të grabiste një kazino.

Më parë ai kishte sulmuar një tjetër sallë të lojërave të fatit në Zogun e Zi në kryeqytet, ku pasi i kishte vënë pistoletën në kokë operatorit mori që aty 625 euro të cilat u sekuestruan nga policia bashkë me armën.

Tv Klan


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu