Shkrimet e fshehura në fragmentet e dorëshkrimeve të Detit të Vdekur janë zbuluar nga hulumtuesit duke përdorur teknologjinë e avancuar për fotografi e cila është zhvilluar posaçërisht për NASA-n.
Pjesët e dorëshkrimit, të cilat më shumë duken të jenë të bardha në sy të lirë, po analizohen për herë të parë që nga zbulimi i tyre nga arkeologët në vitet e ‘50-a.
Një fragment ka shkronja të shkruara sipas një skripte të lashtë hebraike dhe mund t’i përkasë një teksti të panjohur, transmeton Koha.net. Të tjerat u janë përshtatur librave të Ligjit të Përtërirë dhe Levitikut, një seksion i dorëshkrimit të Psalmit të Madh që përmban Psalm 147, dhe një tekst tjetër në Dorëshkrimin e Tempullit duke dhënë udhëzime se si të kryejnë shërbimet.
Fragmentet, përafërsisht me madhësi prej 1.5 deri në 1 centimetër, u prezantuan gjatë një konference ndërkombëtare të mbajtur në Jerusalem për të shënuar 70 vjetorin e zbulimit të këtyre dorëshkrimeve.
“Zakonisht hulumtuesit merren me materialet e Dorëshkrimeve të Detit të Vdekur pasi ato janë pastruar dhe trajtuar. Këto fragmente asnjëherë nuk u pastruan dhe trajtuan”, ka thënë Oren Ableman, hulumtues në Njësinë e Dorëshkrimeve të Detit të Vdekur e autoritetit izraelit të antikiteteve.
Duke përdorur një mikroskop me rreze infra të kuqe i lidhur me kompjuter, ai analizoi përmes një kutie fragmentet e zbuluara nga Shpella 11 në vitin 1956.
“Me fragmentin e parë, pashë një shkronjë dhe e dija se kishte diçka aty. Ky ishte momenti fillestar i gëzimit”, ka thënë Ableman.
Pastaj fragmentet u fotografuan duke përdorur teknologjinë multispektrore për fotografim si pjesë e projektit 10-vjeçar për të digjitalizuar Dorëshkrimet e Detit të Vdekur, përcjell Koha.net.
Ableman beson se një pjesë me shkrimin paleo-hebraisht daton nga periudha e Tempullit të Dytë.
“Ajo çfarë ishte emocionuese në lidhje me këtë fragment të veçantë është që mund të them se dorëshkrimi nuk ishte identik me fragmentet tjera të këtij lloj skripti”, ka thënë Ableman. “Kjo më bën të besoj se kemi të bëjmë me një dorëshkrim që nuk e dinim deri më tani”.