Deputeti i LSDM-së Muhamed Zeqiri është i bindur se VMRO-DPMNE ka kërkuar dhe tashmë ka gjetur partner për bashkëpunëtor strategjik te BESA opozitare.
“Besa ka dalë me kandidat në Shkup. Mendimi dhe qëndrimi im është se Besa këtë e ka bërë në bashkëpunim me VMRO-DPMNE-në, që të mos lejojnë që një pjesë e votave të shqiptarëve, respektivisht votuesve të tyre të mos shkojnë për kandidatin tonë Petre Shilegov që në rrethin e parë”, ka deklaruar Zeqiri.
Ai shton se bashkëpunim LSDM-BDI mund të ketë edhe para zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.
“Kjo është hera e parë që të ketë marrëveshje për bashkëpunim që në raundin e parë. Më herët ka pasur marrëveshje për bashkëpunim në raundin e dytë. Nuk përjashtohet mundësia që të kemi koalicion edhe para zgjedhjeve parlamentare”, thotë deputeti i LSDM-së, Muhamed Zeqiri, transmeton Gazeta Lajm.
Nga Lëvizja Besa demantojnë, duke thënë se bëhet fjalë për shpifje të LSDM-së që kanë për qëllim të amnistojnë BDI-në. Ata thonë se BESA shkon në zgjedhje pa marrëveshje me asnjë parti, as në nivel qendror, e as lokal.
“BESA është antonim i krimit dhe korrupsionit. Nuk e amnistojmë krimin, kurse LSDM dëshiron t’i hedhë pluhur syve opinionit duke akuzuar të tjerët që t’a amnistojë BDI-në. Me paraqitjen e Besës, për herë të parë kemi një subjekt politik që është me shqiptarët dhe i cili ka vizion të vetin. Na vjen keq për shpifësit, të cilët Maqedoninë e shohin bardh e zi, të ndarë mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së”, kanë demantuar nga Lëvizja Besa.