Zeqirija Ibrahimi: Shqiptari i përjashtuar i Maqedonisë – është vetëm shqiptar

Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirija Ibrahimi në një artikull me titull “Shqiptari i përjashtuar dhe i diskriminuar”, duke folur për perceptimet që i kanë të tjerët për shqiptarët e Maqedonisë dhe shqiptarët e Maqedonisë për veten e tyre, ai e fillon shkrimin e tij me vargjet e poetit dibran Nexhat Pustina: “Gur i qitun n’rrafsh të lamës / Djal’ i tepërt i nanës.”
Ibrahimi më pas, pasi arrin në konkluzionin se Shqipëria e Kosova nuk kanë perceptim të saktë për shqiptarët e Maqedonisë ose se kanë paragjykime për të, ndërsa – në anën tjetër – maqedonasit i diskriminojnë pikërisht se pse janë shqiptarë, ai shkruan: “Në kohën që shtetet shqiptare në Ballkan, Shqipëria dhe Kosova, nuk kanë asnjë projekt integrues kombëtar në rrafshin shkencor, arsimor, kulturor e sportiv, me çka do ta homogjenizonin identitetin kombëtar të shqiptarëve në Ballkan, madje janë në gjendje që edhe të grinden se a je çam, a je kosovar apo çka je, mundësia e vetme që i mbetet shqiptarit të Maqedonisë është ta shpëtojë atë që mund të shpëtohet – ta ruajë identitetin e vet etnik, ta artikulojë e afirmojë dhe të shpresojë e të lobojë që dy shtetet e sipërpërmendura dikur ta ridefinojnë qasjen ndaj shqiptarëve jashtë kufijve të tyre. Sipas rregullës, kohezionin brendaetnik duhet ta nxisë i madhi, por – te ne – të mëdhenjtë i hanë kumbullat, ndërsa të vegjëlve u mpihen dhëmbët”.
Ndërkaq, për shkak se e konsideron si çështje tejet të rëndësishme për ta mbrojtur identitetin etnik të shqiptarëve në Maqedoni, ai propozon: “Për këtë arsye, kam përshtypje se ka ardhur koha që – sipas shembullit të Konsultës Gjuhësore të 1968-tës në Prishtinë, kur u bë presion për një gjuhë unike standarde – sot shqiptarët e Maqedonisë ta organizojnë një Konsultë Kombëtare në Shkup, që të ushtrojnë presion se nuk i lejohet askujt luksi që të prodhojë identitete hibride dhe ta anashkalojë faktin më të rëndësishëm historik se ne, kudo që të jetojmë e çfarëdo shtetësie të kemi, jemi vetëm shqiptarë.”/InfoShqip.com

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu