Nga: Lulzime Qoku
Në politikën shqiptare të Maqedonisë së Veriut, ku shpesh dominon interesimi për poste dhe jo për parime, qëndrimi i Ziadin Selës dhe bashkëmendimtarëve të tij është si një fllad i pastër që na rikujton se ideali ende jeton.
Për shumëkënd heshtja është dobësi, por për burrat e mëdhenj, heshtja është forcë, është maturi, është mençuri. Dhe kur Ziadin Sela foli, nuk foli për veten – foli për të gjithë ne. Foli për shqiptarët që nuk duan të jenë pjesë e pazareve politike, por kërkojnë drejtësi, barazi dhe dinjitet.
Ai dhe krahu i tij janë dëshmi se politika nuk është vetëm luftë për pushtet, por mbi të gjitha, është mision. Mision për t’i shërbyer popullit, për të ngritur zërin për ata që nuk dëgjohen, për të ruajtur besën dhe për të mbrojtur të vërtetën kur të gjithë heshtin.
Nuk është e lehtë të mos jesh pjesë e lojërave të pista. Nuk është e lehtë të mos bëhesh vegël e të tjerëve kur tundimi i interesit personal është aq i madh. Por Ziadin Sela zgjodhi të jetë ndryshe. Ai zgjodhi që çdo hap të jetë në përputhje me ndërgjegjen dhe të mbështetur mbi gjakun, gjuhën dhe vuajtjet e shqiptarëve që për dekada kanë kërkuar të drejtën e tyre.
Ky është krahu që nuk lëkundet. Krahu që nuk tradhton. Krahu që nuk ndërton aleanca mbi kurrizin e votuesit shqiptar. Krahu i sakrificës, i dinjitetit dhe i drejtësisë.
Për këtë arsye, më shumë se kurrë, shqiptarët kanë nevojë për vizionin dhe guximin e këtij drejtimi politik – që nuk përkulet për asnjë interes të momentit, por përkul kokën vetëm para popullit që i beson.
Ziadin Sela nuk kërkoi lavdi, por mbrojti idealin. Nuk u bë vegël e askujt, por mbeti zëri i ndërgjegjes shqiptare – dhe për këtë, historia do ta mbajë në anën e drejtë.