Zëvendësministrja takon bujqit e Vrapçishtit, premton përkujdesje për të kompensuar dëmet

Një ditë pas ankesës së bujqve të Vrapçishtit për dëmet e mëdha që ua shkaktoi breshëri në tokat e mbjella me drithëra, në terren doli zëvendësministrja e bujqësisë Vjollcë Berisha. Tregoi se Komuna e Vrapçishtit dhe njësia rajonale e ministrisë së Bujqësisë do t’I vlerësojnë dëmet, e më pas Ministria nëpërmjet Qeverisë do të sigurojë mjete për të dëmshpërblyer të pakën dëmin material që kanë pësuar këta bujq.

“Komisioni i njësisë rajonale i ministrisë do të dalë në terren të hënën që ta bëj vlerësimin e dëmit. Paraprakisht kam informacion se ka qenë edhe komisioni i komunës së Vrapçishtit. Bashkërisht duhet ta bëjmë një procesverbal që të vijë si kërkesë në Ministri që më pas të tërhiqen mjete prej Qeverisë dhe natyrisht ne do të jemi aty për t’u përkujdesur për të kompensuar dëmin që kanë pasur. Lodhjen fizike, mundin, aspektin shpirtëror është e pariparueshme, por të paktën kjo pjesa financiare…”, tha Berisha.

Bujqit presim që Qeveria nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë sa më parë t’i kompensojë dëmet, ndërsa ata që s’i kanë marrë subvencionet nga viti i kaluar bëjnë apel që të lëshohen sa më parë.

“I falënderohem që ka ardhur të na vizitojë ministresha dhe së dyti unë kërkoj që sa më shpejtë ndonjë kompensim, ose subvencionet të m’i lëshojnë ose të këtë, që të marr ushqim për kafshët”, u shpreh Gazmend Sejdiu, bujk dhe blegtor.

Problem tjetër që e theksojnë janë tokat e marra me qira por pa kontratë, andaj subvencionet i marrin pronarët e tokës edhe jo bujqit.

“Ne kërkojmë që të mos na i kërkojnë fletë pronësitë, të dalin në vendngjarje që të identifikohet se kush e ka mbjellë pronën, misrin, elbin, ato t’i kërkojnë, se dihet kush ka mbjellë këtu”, tha bujku Halil Fetahi.

Të reshurat e 5 korrikut që ranë në këtë rajon dëmtuan pjesën më të madhe të të mbjellave, ndërsa dje bujqit edhe përmes TV21 kërkuan ndihmë nga shteti për shkak se ishin në atë pikë sa më nuk kishin me çfarë ta ushqejnë as bagëtinë. Moti i lig ka dëmtuar të mbjellat edhe në Pollog sidomos patatet dhe domaten, por deri më tani as komuna edhe as nga njësia rajonale e Ministrisë së Bujqësisë nuk kanë dalë në teren për të parë dëmet.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu