Edhe pse fushata është larg, për zgjedhjet lokale tashmë flitet hapur. BDI-ja komenton deklaratën e kreut të LSDM-së Venko Filipçe i cili tha se nuk mendojnë për koalicion me BDI-në, se BDI-ja ishte leksion serioz dhe se distancimi është kërkuar nga anëtarësia, shkruan Alsat.
Deklarata e Filipçes, sipas BDI-së, është përpjekja e radhës e partive maqedonase për të kapitalizuar mbi frustrimin e një pjese të elektoratit të tyre, i cili ende nuk e pranon faktin se BDI fuqizoi shqiptarët.
“Pas humbjes së thellë të LSDM-së, Filipçe po përpiqet të distancohet nga kjo e vërtetë, duke ndjekur narrativën e VMRO-DPMNE-së që synon të rikthejë një realitet të vjetër, ku shqiptarët kishin vetëm rol dytësor… BDI mbetet e vetmja forcë legjitime përfaqësuese e shqiptarëve dhe faktor kyç në stabilitetin dhe funksionimin e shtetit. Prandaj, ndërsa në publik garojnë se kush do të izolojë më shumë shqiptarët, pas perdeve dërgojnë emisarë, sepse e dinë se qeverisja pa shqiptarët dhe pa BDI-në nuk mund të prodhojë as funksionalitet dhe as progres”, thonw nga BDI.
Filipçe tha se çdo koalicion i ardhshëm do bazohet në parime dhe respekt të ndërsjellë.
Zv.kryeministri Izet Mexhiti ditë më parë deklaroi se partnerët e koalicionit qeverisës VMRO-VLEN kanë marrëveshje për të mbështetur njëri tjetrin në zgjedhjet lokale. Pak ditë më vonë nga VLEN dalin me një qëndrim më të moderuar; synojnë votat shqiptare.
“Ne në radhë të parë do të garojmë dhe do të kërkojmë votën e shqiptarëve. Padyshim që me VMRO-në në kuadër të koalicionit qeverisës kemi një marrëdhënie shumë të mirë bashkëpunimi por interesi dhe qëllimi ynë është që të kërkojmë votën e shqiptarëve dhe do të garojmë kryesisht për të kërkuar votën e shqiptarëve”, tha Fatmir Sabriu, VLEN.
VMRO-ja nuk ka konfirmuar nëse në zgjedhje do të shkojë kryekëput me parimin e mbështetjes së partnerit qeveritar, VLEN. Megjithatë, koalicionimi me partinë më të madhe në pushtet, do të jetë vendimtar për cilëndo nga partitë shqiptare, në komunat të cilat ata synojnë.
Zgjedhjet lokale, sipas kodit zgjedhor aktual, do të mbahen në gjysmën e dytë të muajit tetor. / Alsat.mk