Partia qeverisëse e Kosovës “Vetëvendosje” është në rrugën e duhur për të fituar zgjedhjet parlamentare të vendit, por do të duhet të negociojë një koalicion me partitë e tjera për të formuar një qeveri, treguan exit poll-et dhe rezultatet preliminare.
Kështu e fillon shkrimin mediumi prestigjioz britanik, The Guardian, sipas të cilit, “me 73% të votave të numëruara, partia e majtë Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti, ose Vetëvendosje, kishte fituar 41.99%”.
“Rezultati i zgjedhjeve do të ishte një rënie nga më shumë se 50% që fitoi në 2021. Por ai e vendos Kurtin në pozicionin për të udhëhequr qeverinë e ardhshme në një vend, politika e të cilit dominohet nga marrëdhëniet me Serbinë fqinje dhe serbët brenda kufijve të tij”, shkruan The Guardian, përcjell Telegrafi.
Siç vë në pah ky medium, gjatë fushatës zgjedhore, Kurti me sa duket përjashtoi mundësinë e formimit të një koalicioni, duke thënë se ai nuk do të merrte pjesë në qeveri nëse nuk fitonte një shumicë të plotë.
“Por, të dielën vonë pas shpalljes së fitores, Kurti tha se do të formonte qeverinë e re pa lënë të kuptohet se kush mund të jetë partneri i mundshëm i koalicionit”.
“Ne jemi partia e parë, partia fituese që do të krijojmë qeverinë e ardhshme”, u tha Kurti gazetarëve. “Ne do të vazhdojmë të përfundojmë punën që kemi nisur”.
Një shkrim të veçantë për zgjedhjet në Kosovë ka bërë edhe Reuters.
“Partia qeverisëse e Kosovës Vetëvendosje doli e para në zgjedhjet parlamentare të së dielës, por nuk arriti një shumicë të plotë të nevojshme për të qeverisur pa partnerë koalicioni, treguan rezultatet preliminare të hënën”, ka shkruar Reuters, përcjell Telegrafi.
Ndërsa Euronews thekson se “rezultatet preliminare nga zgjedhjet legjislative të Kosovës tregojnë se partia e kryeministrit aktual Albin Kurti është në krye, por nuk ka shumicën e nevojshme për të qeverisur e vetme”.
Edhe BBC ka theksuar se “Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka shpallur fitoren e partisë së tij në zgjedhjet parlamentare të së dielës, edhe pse rezultatet e pjesshme sugjerojnë se ai nuk ka një shumicë”.
Por ky medium ka përmendur faktin se vonesa në shpalljen e rezultateve zyrtare për shkak të dështimit të sistemit të numërimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Presidentja Vjosa Osmani i ka bërë thirrje komisionit që “të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor, duke u siguruar që çdo votë të numërohet drejt”.
Ndërkohë, AP, ka treguar se me 73% të votave të numëruara, Vetëvendosje fitoi 41.99% – që nuk i jep shumicën e nevojshme për të qeverisur vetëm – duke lënë të hapur mundësinë që tre pretendentët e tjerë të mund t’i bashkohen radhëve nëse ai nuk arrin të formojë një kabinet qeveritar.
Ky medium ka treguar se sfiduesit e tjerë janë “Partia Demokratike e Kosovës, ose PDK, udhëheqësit kryesorë të së cilës ndalohen në një gjykatë penale ndërkombëtare në Hagë të akuzuar për krime lufte, e cila fitoi 22.68% të votave”.
“Më pas me 17.9% mbështetje është Lidhja Demokratike e Kosovës, ose LDK, partia më e vjetër në vend, e cila humbi një pjesë të madhe të mbështetjes pas vdekjes në vitin 2006 të liderit të saj, Ibrahim Rugova. Konkurrenti i tretë është Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj me 7.56%”. /Telegrafi