Zgjedhjet në SHBA, 69 për qind e votuesve muslimanë mbështetën Biden-in

Gjashtëdhjetë e nëntë përqind e votuesve muslimanë që jetojnë në SHBA mbështetën kandidatin demokrat për president Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të 3 nëntorit, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilli i Marrëdhënieve Amerikano-Islame (CAIR), një nga organizatat më të mëdha joqeveritare muslimane në vend që merret me aktivitete mbi të drejtat civile, botoi një hulumtim me titull “Sondazhi dalës i votuesve muslimanë në Zgjedhjet Presidenciale 2020”.

Sipas hulumtimit, në zgjedhjet e 59-ta presidenciale, të drejtën e votës e shfrytëzuan më shumë se një milion muslimanë, prej të cilëve 69 për qind votuan për Biden-in, kurse 17 për qind për kandidatin republikan Donald Trump.

Në hulumtim nënvizohet se Trump, i cili mori 13 për qind të votave nga votuesit muslimanë në zgjedhjet e vitit 2016, rriti votat me 4 për qind në këto zgjedhje. Presidenti i CAIR, Nihad Awad, deklaroi se pjesëmarrja në votime në komunitetin musliman ishte 84 për qind këtë vit.

“Është pranuar që komuniteti musliman amerikan ka një vend të rëndësishëm në ndikimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale, shtetërore dhe kombëtare në vend”, ka thënë Awad.

Edhe pse 3,45 milionë muslimanë jetojnë në SHBA dhe se ky numër korrespondon me 1,1 për qind të popullsisë e vendit, votat e tyre thuhet të kenë ndikim në zgjedhje pasi shumica e tyre jetojnë në rajonet e quajtura si “shtete të lëkundshme”.

63 përqind e votuesve hebrenj mbështetën Biden-in. Nga ana tjetër, në sondazhin e kryer nga Instituti Izraelit i Demokracisë, është hulumtuar preferenca e votuesve hebrenj, grupit tjetër pakicë në SHBA.

Sipas rezultateve të sondazhit, 63 për qind e votuesve hebrenj votuan për Biden-in dhe 17 për qind për presidentin aktual Trump. Në një konferencë të mbajtur mbi sondazhin, u theksua se 42 për qind e hebrenjve amerikanë mendojnë se nëse Biden vjen në pushtet, marrëdhëniet SHBA-Izrael do të dobësohen.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu