Disa eurodeputetë që janë pjesë e Komitetit të Përbashkët Parlamentar me Maqedoninë kërkuan që të shfrytëzohet momenti i ri në procesin e zgjerimit. Bashkë Kryesuesi Karlo Reksell u bëri thirrje autoriteteve në vend, siç thotë ai, të mos humbin kohë.
“Maqedonia e Veriut është tani në një situatë ku hapet një mundësi për të përfituar nga rrethanat e ndryshme gjeopolitike që thjesht e vendosin çështjen e zgjerimit më lart në agjendë”, tha Karllo Reksller.
Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Europian, Tomas Vajc, në një intervistë për RTM-në, theksoi se çështjet dypalëshe nuk duhet të jenë pjesë e procesit të aderimit dhe paralajmëroi se do të punojë intensivisht me autoritetet e reja bullgare për gjetjen e mënyrave për fillimin e negociatave për anëtarësim.
“Ne do të kemi nevojë për deklarata të qarta nga Komisioni Europian, nga Këshilli, ndërsa do të na duhet edhe deklaratë nga Qeveria bullgare se me përfshirjen e pakicës bullgare në Kushtetutë, janë plotësuar çështjet dypalëshe që duhet të zgjidhen në kuadër të procesit të negociatave dhe se nuk do të ketë më kërkesa shtesë në tryezë për procesin e aderimit”, tha Tomas Vajc.
Së fundmi, autoritetet në Sofje kanë theksuar se janë të gatshme për dialog, por jo për rinegocim të kushteve ekzistuese të propozimit francez. Zyra e presidentit bullgar Rumen Radev njoftoi se ai ka biseduar në telefon me presidenten Gordana Siljanovska Davkova dhe të dy kanë theksuar rëndësinë e dialogut konstruktiv në nivelin më të lartë mes dy shteteve, por nuk bëhet e ditur nëse kanë biseduar edhe për integrimet europiane. Ata pritet të takohen sërish në prill në Sofje.