Ylli shqiptar Edon Zhegrova, në një intervistë ekskluzive për “Max Sport” në Euronews Albania, ka zbuluar se po të kishte mundësi do të luante njëherë për Kosovën dhe njëherë për Shqipërinë.
Përse zgjodhe Kosovën? – “Unë edhe këtu u them që jam shqiptar nga Kosova dhe u flas për Shqipërinë dhe Kosovën. Ata më pyesin përse nuk janë bashkë dhe u them se dëshira e gjithë shqiptarëve është të jemi bashkë. Por kjo është politika. Unë jam krenar për Shqipërinë dhe i ndjek gjithmonë ndeshjet dhe sukseset e saj. Vendosa të përfaqësoj Kosovën sepse edhe Kosova ka nevojë për pak lojtarë të mirë (qesh)”, tha Zhegrova në emisionin “Max Sport”.
Kombëtarja shqiptare – “Unë nuk e kisha pas problem të luaja për Shqipërinë. Me pas mundësi do të luaja për dyja, njëherë për Shqipërinë dhe njëherë për Kosovën. Por mendoj se Kosova ka patur më shumë nevojë për lojtar, por normalisht kisha pas qejf të isha pjesë e kombëtares kuqezi. Tani nuk jemi bashkë, por shpresoj që një ditë të jemi një komb”.
Kush të pëlqen te kombëtarja?! – “Shqipëria ka lojtar shumë të mirë, veçanërisht në sulm. Mendoj se Armando Broja është më i miri që ka Shqipëria. Të dy bashkë do të kishim bërë një dyshe të frikshme”, u shpreh Zhegrova.