Zidane për Benzema: Dëshiron kthimin te Franca

Karim Benzema e dëshiron shumë kthimin te përfaqësuesja franceze. Kjo është ajo që ka deklaruar trajneri i Realit të Madridit, Zinedine Zidane për bashkëkombësin e tij që është lënë jashtë skuadre edhe për ndeshjet e radhës së eliminatoreve të botërorit 2018 nga trajneri Deschamps.

Në muajin dhjetor të vitit 2015, Federata Franceze e pezulloi Benzema-në nga kombëtarja për një afat të papërcaktuar për shkak të hetimeve që po kryhen në vendin transalpin në lidhje me një shantazh ndaj Valbuena-s. Në këtë shantazh ka dalë edhe emri i sulmuesit të Realit të Madridit edhe pse ky i fundit i ka mohuar vazhdimisht akuzat ndaj tij.

Pikërisht për shkak të kësaj historie, Benzema mungoi edhe në Evropianin që u mbajt në Francë këtë vit, ku skuadra vendase humbi në finale ndaj Portugalisë.

“Duket qartë që Benzema do që të jetë pjesë e skuadrës së Francës”, tha Zidane. “Ai po bën gjithçka mundet për t’ia arritur qëllimit, pasi kjo është dëshira e tij. Por unë nuk jam trajneri i Francës dhe e respektoj vendimin e Deschamps. Gjithsesi kjo nuk do të thotë se Benzema nuk do të jetë më pjesë e Francës”.

Franca do të luajë ndaj Bullgarisë në datën 7 tetor, ndërkohë që në 10 tetor Blutë e Deschamps do të përballen me Holandën./ Top Channel


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu